AlbanianSport.com 10/01/2017 12:30
… vijon nga dje
Ndërsa Fondriesti deklaroi: “Sot jemi këtu vetëm për një ditë dhe pasi të kemi pedaluar, do të largohemi. Por, kam besimin se në të ardhmen, do të kthehem këtu për të ndenjur më tepër sesa kaq dhe për të parë shumë më shumë sesa kaq. Kjo “Kroçierë” është një mundësi e shkëlqyer që, duke qenë midis njerëzve të apasionuar me çiklizmin, të vizitosh vende të reja dhe të shijosh përvoja të reja.” Të ndarë në dy grupe, teksa ata mbi 50 vjeç kanë përshkuar një itinerar prej rreth 35 km, ndërsa ata nën 50 vjeç kanë sfiduar veten në një itinerar dyfish më të gjatë.
Çiklistët italianë kanë pedaluar përgjatë rrugëve të Sarandës, por edhe rreth e rrotull saj, duke shkuar deri në kthesën e rrugës që të çon drejt Doganës së Qafë-Botës. Natyrisht, duke patur parasysh edhe moshën e pjesëmarrësve, ka patur edhe pushime disaminutëshe për t’u dhënë atyre mundësi të marrin veten. Megjithatë, pedalimi ka qenë mbresëlënës dhe shpirti i paepur i çiklistëve veteranë ka dalë sidomos në pah në finishin malor në kalanë e Lëkurësit. E gjithë kjo garë turistike e ka bërë padyshim krenar presidentin e Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Skënder Anxhaku.
Ndërkohë, në një tjetër zhvillim, tanimë do të jenë dy ekipet ndërkombëtare që do të kenë edhe kontributin e shqiptarëve. Pas ekipit “Amora e Vita”, çiklistët shqiptarë do të jenë pjesë edhe e ekipit italian “San Xhemini”. Kjo është bërë e ditur në ditët e fundit të tetorit gjatë një takimi midis drejtuesve të kësaj skuadre me ata të Federatës Shqiptare të Çiklizmit dhe drejtuesve të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar. Ndërkaq, Eugert Zhupa ka dëshmuar edhe një herë potencialin e tij si një çiklist i jashtëzakonshëm, duke spikatur përgjatë të 9 etapave të Turit të Hainanit, që u zhvillua në provincën piktoreske ishullore kineze.
Ky tur pati nisur më 28 tetor dhe zgjati deri më 5 nëntor 2017, dhe pati gjithsej 9 etapa, duke përshkuar plot 1,566 km. Përgjatë gjithë këtij Turi, duke nisur që nga etapa e parë, kur ka zënë vendin e 8-të në renditje, e duke vijuar me 8 etapat e tjera, 27-vjeçari ka rezultuar vendimtar për skuadrën e tij italiane të “Uilier Triestrinës”, duke e tërhequr praktikisht me vete ekipin dhe duke sakrifikuar në fund për çiklistët kryesor të saj. Çiklisti shqiptar është rikthyer kështu me sukses nëpër rrugët e vendit më të populluar të botës për një tjetër garë të vështirë.
Vetëm pak ditë pasi kishte shkëlqyer në një nga garat më të rëndësishme të Kinës, në Turin e Liqenit Taihu, ai e ka ndihmuar skuadrën e tij të fitoi edhe në kategorinë individuale, por edhe në kategorinë ekipore. Çiklizmi shqiptar ka ulur të premten e 17 nëntorit siparin e veprimtarive për vitin 2017, me garën e fundit, edicionin e dytë të trofeut të Tiranës, i cili është zhvilluar me pjesëmarrjen e afro 70 sportistëve të të gjitha grupmoshave.
E veçanta e kësaj veprimtarie ishte pedalimi për herë të parë edhe i një çikliste femër të ekipit të Partizanit, Jori Karafilit, e cila ka thyer edhe një tabu për çiklizmin shqiptar. Për presidentin e Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Skënder Anxhaku, kjo garë uli siparin e një viti të jashtëzakonshëm për dyrrotakët kuqezi.