Gjergj Vyshka 19.10.2016 12:30
Presidenti i çiklizmit shqiptar: “Vitin e ardhshëm synojmë përfaqësimin në të gjitha veprimtarë ndërkombëtare e mbi të gjitha medalje në Lojërat Mesdhetare në Tarragona. Shumë shpejt, gati ekipin profesionist”.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Skënder Anxhaku, ka bërë të ditur dhe objektivat e 2017-ës, ndonëse organizmi që ai drejton do t’i nënshtrohet procesit zgjedhor ashtu siç do të ndodhë në të gjitha institucionet sportive olimpike e jo olimpike.
“Së pari, – thotë presidenti i çiklizmit shqiptar, – është fakti që ne do të jemi pjesëmarrës në të gjitha veprimtaritë ndërkombëtare të vitit të ardhshëm, atje ku do të kërkojmë të jemi në vende më të larta në renditje.”
“Po kështu dhe në Lojërat Mesdhetare në Tarragona do të kërkojmë të jemi në zonën e medaljeve, sepse mundësitë i kemi, pa harruar këtu Kampionatet Ballkanike, ku dhe jemi kampion në fuqi”, – ka theksuar ai.
“Pra në mënyrë të përgjithshme për vitin e ardhshëm, pjesëmarrje në arenën ndërkombëtare, shoqëruar me medalje”, – ka përfunduar kreu i organizmit që qeveris dyrrotakët shqiptarë.