Gjergj Vyshka 19.10.2016 09:45
Skënder Anxhaku, presidenti i Federatës Shqiptare të Çiklizmit, e ka cilësuar të kënaqshëm përfaqësimin e Shqipërisë në Kampionatin Botëror të këtij sporti, që fundjavën e kaluar u zhvillua në Doha të Katarit. Shqipëria e dyrrotakëve u përfaqësua me Eugert Zhupën dhe Redi Halilajn në kategorinë e elitës, si dhe Klidi Jakun dhe Sabri Tafajn tek të rinjtë.
Dy të parët konkurruan në garën e kronometrit, ndërsa Zhupa u rendit i 50-ti dhe Halilaj i 52-ti, kurse dy të tjerët në garën e rrugës, atje ku vetëm Jaku mundi ta përfundojë. Sepse Tafaj u rrëzua që në fillim në një përplasje me një indian. Përtej këtyre rezultateve, por duke parë dhe kushtet e çiklizmit shqiptar, Anxhaku thotë se i gjithë përfaqësimi është i kënaqshëm.
“Ajo që duhet të rrisim ne është më tepër shpejtësia në veprim, – ka thënë kreu i organizmit që qeveris dyrrotakët shqiptarë. – Por të paktën kemi qenë skuadra me qëndrimin më të mirë në hotel e kudo tjetër në Botëror. Është bërë një punë shumë e mirë dhe nga trajneri Françesko Frazi, që na bën optimist se vitin e ardhshëm do të jemi dhe më mirë. Kuptohet duke i bashkuar çiklistët që kemi në Itali me këta këtu.”