Gjergj Vyshka 07.10.2015 12:15
Anxhaku: Ne ditëm t’i prisnim serbët me lule. Shpresoj që në ndeshjen e së enjtes me Serbinë të ketë vetëm atmosferë futbolli dhe në “Elbasan Arena” të fitojë më i miri. Këtë i uroj kolegut Duka.” Marko Stankoviç, çiklisti i Novi Pazarit, është fituesi i Rrethit të 72-të Çiklistik i Shqipërisë. Jo vetëm kaq, por e ka fituar për herë të dytë.
Dhe në një intervistë për “Sport Ekspres”, presidenti i Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Skënder Anxhaku, shpjegon se serbët janë pritur me tufa me lule dhe me duartrokitje. Duke e lidhur me ndeshjen e futbollit të së enjtes, atje ku i ka uruar suksese Dukës, Anxhaku tregon se shqiptarët janë një shembull mikpritjeje për serbët.
Ja dhe intervista e tij për “Sport Ekspres”, të cilën AlbanianSport.com jua sjell këtu.
– Një serb fituesi i rrethit të 72-të Çiklistik të Shqipërisë. Çdo të thotë kjo?
– Ndryshe nga çfarë ka ndodhur me Kombëtaren tonë të futbollit më 14 tetor, ne ditëm t’i prisnim serbët e çiklizmit me tufa me lule e me përshëndetje. Sa herë që janë ngjitur në podium janë duartrokitur nga të pranishmit. Që do të thotë se ne nuk jemi ata të 14 tetorit në Beograd, atje ku Kombëtarja jonë u urrye e u ofendua, por dhe u godit. Ne treguam se jemi mikpritës. Qoftë në hapje, apo dhe në mbyllje të Rrethit të 72-të Çiklistik të vendit ekipet e huaja nga Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia janë përshëndetur nga të gjithë kryetarët e Bashkive. Edhe në drekën përmbyllëse në Përmet, kryetari i Bashkisë e ka falënderuar ekipin serb, të cilët na kanë përshëndetur për këtë mikpritje. Më duhet të falënderoj të gjithë kryetarët e Bashkive për mbështetjen, Policinë e Shtetit, presidentin e KOKSH, Viron Bezhani, drejtorin e Sporteve në MAS, Vladimir Gjonaj dhe të gjithë aktorët e tjerë.
– Në fakt ndryshe nga herët e tjera, është hequr etapa Durrës-Vlorë?
– Është problem i ligjit të sportit, por dhe i mbështetjes financiare të Bashkive për skuadrat, të cilët nuk kishin lekët e mjaftueshëm për të përballuar turin. Atëherë në një mbledhje të përbashkët mes gjyqtarëve, trajnerëve dhe përgjegjësve të klubit, u ra dakord.
– A kishte Banushi dhe Sefa mundësi për ta kapur vendin e parë në Rrethin çiklistik?
– Jo vetëm ata të dy, por dhe ndonjë tjetër mund ta arrinte. Mirëpo pati neglizhencë. Konkurrenca me serbin u prish që në Burrel kur ai fitoi 1 minutë dhe më pas ishte e pamundur për ta kaluar.
– Marko Stankoviç e ka për herë të dytë fitoren në Rrethin çiklistik, a mos ia ka marrë dorën kësaj veprimtarie?
– Ai është një çiklist që vjen nga Partizani i Beogradit, që merr pjesë rregullisht në veprimtaritë ndërkombëtare dhe ture të tjera, por që ka dhe një mbështetje financiare të mirë. Dhe si i tillë ka përgatitjen e duhur për çdo veprimtari.
– Së fundi, nëse do të ishim ne në Turin e Serbisë a do të mund të na prisnin njëlloj?
– Nuk e besoj të na presin në të njëjtin nivel. Drejtuesit e skuadrave dhe përgjegjësi i tyre na ka falënderuar për mikpritjen. Meqë jemi edhe tek ndeshja me Serbinë, atëherë i uroj presidenti Duka që të ketë suksese dhe në “Elbasan Arena” të fitojë më i miri dhe mbi të gjitha futbolli.