Gjergj Vyshka 23.03.2017 21:05
Presidenti i Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Skënder Anxhaku, pasi ka falënderuar Këshillin e Qarkut të Tiranës, Policinë e Shtetit, apo dhe ka vlerësuar çiklistët, e ka vënë theksin tek ajo që e pret më 20 maj 2017 këtë sport. “Unë do të falënderoj dhe popullin e Petrelës për mikpritjen, – ka thënë ai. – Madje gjej rastin që të gjithë shqiptarëve t’iu uroj “Gëzuar Sulltan Novruzin!”.
“Më 20 maj 2017 do të nisim Rrethin e Shqipërisë, e cila, duke qenë se është dhe në kalendarin e Federatës Botërore të Çiklizmit, do të sjellë në vendin 20 ekipe të huaj, – ka vijuar kreu i organizmit që qeveris dyrrotakët shqiptarë. – Jo vetëm kaq, por do të kemi dhe ekipin tonë të parë profesionist me shqiptarë “Amaro Vita”. Ndaj gjej rastin që ta ftoj ministren e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, që të na mbështesë.”
“Sepse ky Rreth i Shqipërisë do të jetë dhe një promovim i vlerave të turizmit, – ka theksuar Anxhaku. – Ndaj u bëj thirrje dhe Ministrisë së Turizmit, apo Ekonomisë që të bëhen të gjithë bashkë për të nxjerrë një Rreth Çiklistik si asnjëherë tjetër. Një notë maksimale të gjithë çiklistëve dhe trajnerëve për punën e bërë, ndërsa kanë pedaluar me një shpejtësi të admirueshme mesatare.”
“E rëndësishme është që nuk patëm probleme”, – ka përfunduar Presidenti i Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Skënder Anxhaku, ndërsa gara e radhës e çiklizmit do të jetë të dielën në Kavajë.
Trofeu i Kalave në Çiklizëm
(Kalaja e Prezës – Shijak – Kalaja e Petrelës – 103 kilometra)
Rezultatet teknike të garës:
Nr. Çiklisti / Ekipi Koha
- Astrit Krronaj (Vllaznia) 1h40’33”
- Amarildo Gogaj (Apolonia) + 1”
- Bruno Kola (Vllaznia) 1h40’50”