Gjergj Vyshka 23.01.2015 08:35
Dy ditë pas zhvillimit të Kupës “Sali Hima” presidenti i çiklizmit bën analizën e tij. Jon Ferataj i Flamurtarit, por dhe të gjithë grupi i kadetëve shihen me syrin e perspektivës. Dy ditë pas përfundimit të Kupës “Sali Hima” në çiklizëm, e cila u zhvillua në Tiranë për të tre kategoritë e sportistëve, Paratërinj, Të Rinj dhe Nën-23-vjeç / Të Rritur, presidenti i kësaj Federate, Skënder Anxhaku bën analizën e tij. Së pari ai është i kënaqur me masivizimin dhe numrin e madh të sportistëve që sollën klubet e Apolonisë, Flamurtarit, Teutës, Tiranës, Vllaznisë, Partizanit, Elbasanit me dy skuadra.
Dhe së dyti ai është i kënaqur veçanërisht me grupin e paratërinjve, atje ku përveç tre fituesve të etapës, të cilët ishin Sali Ballgjini i Teutës, Bruno Kola i Vllaznisë dhe Ridvan Tafili i Teutës, është dalluar dhe vlonjati Jon Ferataj. Ndaj dhe presidenti Anxhaku dhe Sekretari i Përgjithshëm i kësaj Federate, Alfred Tahiraj, e kanë veçuar këtë sportist, por dhe në përgjithësi paratërinjtë si çiklistët e së ardhmes e që i japin këtij sporti një perspektivë shumë të mirë. “Kemi pasur një vendim të Federatës Shqiptare të Çiklizmit që në të gjitha veprimtaritë kombëtare të jenë të 3 grupmoshat”, – ka thënë Anxhaku.
“Pra të konkurrohet për Paratërinj, Të rinj dhe Nën-23-vjeç / Të Rritur, – ka vijuar kreu i dyrrotakëve shqiptarë. – Dhe jemi në përkrahje të elementit të ri, sepse sjellin rezultate pozitive dhe mbi të gjitha masivizim.”, Më pas, Anxhaku e ka ndalur menjëherë vëmendjen e tij tek grupi i paratërinjve, i cili ka pasur dhe numrin më të madh të konkurrentëve në Kupën “Sali Hima”. “Kanë qenë plot 30 sportistë dhe të them të drejtën bën një garë shumë të bukur, – ka theksuar presidenti i FSHÇ-së. – Më aktivi dhe që e priu grupin gjatë gjithë garës ka qenë vlonjati Jon Ferataj.”
“Një sportist me shumë talent dhe mendoj që ky çiklist do të na përfaqësojë në ekipet kombëtare për paratërinjtë, – ka thënë Anxhaku. – Mbi të gjitha dua të falënderoj trajnerin e Flamurtarit, Kastriot Mukaj, që ka ditur ta zbulojë këtë talent dhe të paraqesë një skuadër me uniformë dhe shumë të rregullt në aktivitet”. Ndërkohë Anxhaku ka vlerësuar për seriozitetin e punës, jo vetëm sepse pati një çiklist si Bruno Kola në vendin e dytë në renditje tek paratërinjt, Vllazninë e trajnerit Sabaudin Hoxha dhe presidentit Leonard Kola.
“Ne jemi këtu për t’i mbështetur këto sportistë, të cilët do të na përfaqësojnë denjësisht si Federatë në të gjitha veprimtaritë kombëtare, – ka thënë kreu i çiklizmit shqiptar. – Jo vetëm kaq, por do të përshëndes Sali Ballgjinin e Teutës së Dashamir Ramës. Fjalët më të mira për Apoloninë e Kiço Kalemit, që me të rinjtë dhe të rriturit doli fitues me Marolino Hoxhën, Kriseld Sotën dhe Leart Bregun. Pa harruar këtu dy çiklistët e Tiranës, për të rinj Orest Hoxhën dhe për të rritur Olsian Veliajn. Dhe në fund për paraqitjen shumë të mirë që bëri dhe Antonio Shqaun e Elbasanit.”
“Për mua ishte një garë e mirë, e përgatitur me seriozitet nga trajnerët. Tashmë jemi gati për të zhvilluar Kupën për nder të Agim Tafilit, si dhe për nderimin e figurave të sportit tonë, pa harruar dhe atë për nder të vëllezërve Murriqi”, – ka përfunduar presidenti i Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Skënder Anxhaku Anxhaku, i cili tashmë ka premtuar se shumë shpejt me anë të një baze materiale nga Italia do të furnizojë të gjitha ekipet e sportit të çiklizmit në vend.