AlbanianSport.com 06.07.2015 19:00
ASNN – Ka patur frikë sot në Turin e Francës, pasi dhjetëra çiklistë u përfshinë në një aksident masiv në etapën e tretë. Ka qenë në fakt një aksident i rëndë ai që u regjistrua në garën prestigjioze të dyrrotakëve botërorë.
Vetëm 58 kilometra nga finishi i etapës së tretë të turneut më prestigjoz të çiklizmit botëror, dhjetëra sportistë u përfshinë në një përplasje masive. Shkak ishte humbja e ekuilibrit të një prej çiklistëve.
Kjo krijuar një efekt domino që solli rrëzimin edhe të disa pjesëmarrësve të tjerë. Pamjet e transmetimit direkt të Turit të Francës dhanë përshtypjen e një aksidenti të rëndë, por për fat të mirë asnjë nga çiklistët nuk u dëmtua rëndë.
Mes çiklistëve të aksidentuar ishte dhe mbajtësi i fanelës së verdhë në këtë edicion të garës çiklistike më të rëndësishme të botës. Madje gara u ndal praktikisht, për të rifilluar kur të gjithë çiklistët u grumbulluan në një grup të madh.