Adriatik Balla 26.05.2015 11:35
Bekim Balaj dhe Sokol Cikalleshi sapo kanë mbyllur një sezon shumë të mirë me skuadrat e tyre në kampionatin kroat, duke qenë në qendër të vëmendjes së medias vendase. Të dy kanë spikatur për golat dhe pasimet e shumta për gol, por në renditjen e përgjithshme Balaj u klasifikua më mirë, pasi skuadra e tij Rijeka zuri vendin e dytë, ndërsa RNK Split i sulmuesit Sokol Cikalleshi në vend të gjashtë.
Kavajasi Cikalleshi ka shënuar 10 gola në 14 takime, kurse shkodrani Balaj ka shënuar 9 gola në 14 ndeshje. Janë pothuajse në të njëjtin nivel, por ajo që i gëzon shumë lidhet me trajnerin Xhovani De Biazi, i cili i ka ndjekur dhe i ka uruar për paraqitjen e tyre, duke u premtuar se do të jenë të ftuar në ndeshjen miqësore që Shqipëria do të zhvillojë ndaj Francës më 13 qershor në stadiumin “Elbasan Arena”.
Nëntë gola në 14 ndeshje i japin të drejtë Bekim Balajt të meritojë komplimentet e mediave kroate. “Bekim Balaj edhe një herë tjetër vërtetoi se është një përforcim i duhur për Rijekën”, shkruan faqja kroate në Internet, “24sata.hr”. Balaj ka shënuar nga një gol në katër ndeshjet e fundit, të përfunduara tri me fitore dhe një barazim. Sulmuesi shkodran mbërriti te nënkampionët e Kroacisë në muajin janar.
Ai ka ardhur nga çekët e Sllavias së Pragës dhe e ka justifikuar më së miri investimin e klubit dhe besimin e trajnerit Matjazh Kek. Balaj ka shënuar rregullisht dhe falë edhe golave të tij Rijeka do të luajë në Ligën e Evropës, nga turi i dytë eliminator. Siç thamë Bekimi ka shënuar një gol më pak se Sokol Cikalleshi me Splitin e tij.