AlbanianSport.com 12/01/2019 19:55
ASNN – Uanda Nara, femra që shkatërroi martesën e saj, dëmtoi përfaqësuesen e Argjentinës dhe po çon në çmendinë edhe Interin. Interi po vuan në këtë moment, pasi nuk po gjen gjuhën e përbashkët me Mauro Ikardin, sulmuesin kryesor të ekipit. Shkak është pengesa për rinovimin, pasi menaxherja e tij, Uanda Nara, e cila është dhe bashkëshortja e tij, po flirton me Realin e Madridit dhe po përpiqet ta shkëpusë Ikardin nga zikaltrit për ta çuar në kryeqytetin spanjoll. Vetë Interi, në një dalje të pazakontë për shtyp, tha se Uanda Nara duhet ta ndajë mendjen, që t’i japë zgjidhje situatës, ndërkohë që vetë Mauro Ikardi thotë vazhdimisht se “këtë punë e di ajo…”.
Si të mos mjaftonin këto, ish-bashkëshorti i Uanda Naras, Maksi Lopez, i cili luan aktualisht me Vasko de Gamën në Brazil, ka thumbuar keqas çiftin zikaltër në Milano, duke thënë se ajo e telefonon shpesh, sa herë që Ikardi nuk i ndodhet afër. Një qëndrim provokues që ka gjasa të shtojë armiqësitë midis dy futbollistëve që dikur ishin shokë por u bënë armiq pikërisht për shkak se Ikardi i mori gruan Lopezit. “Për Uandën ndjej vetëm keqardhje, – shprehet plot ironi ish-bashkëshorti, Maksi Lopez, – duke qenë se nuk di të jetë një nënë e mirë, ndërsa pjesa tjetër nuk më intereson pasi është e martuar dhe të bëjë çfarë të dojë.”
“Kur Ikardi është në grumbullim, ajo më telefonon shpesh mua, por nuk bie në lojën e saj, – ka vijuar ai. – Dua vetëm që të takoj fëmijët e mi dhe të di që po rriten mirë. Ikardin e kam takuar vetëm në fushën e blertë dhe e kam thënë publikisht se çfarë i kam thënë Ikardit aty. Më vjen keq që nuk e përsëris dot, pasi Uanda më ka thënë se nuk i shoh më fëmijët nëse e përsëris.” Duhet thënë se lidhja e Ikardit me Uanda Narën ngjalli debat të madh vite më parë në Argjentinë, pasi figura të nderuara të futbollit në Buenos Aires, e panë këtë lëvizje si një gafë fatale të Ikardit, i cili gjurmonte gratë e shokëve dhe u merrte atyre të dashurat.
Në një moment, kur Uanda Nara ishte shfaqur në stërvitjen e Argjentinës, trajneri kishte kërkuar që ajo të largohej, pasi prishej harmonia e grupit. Vetë Ikardi, nuk e pa më përfaqësuesen e tij që kur u lidh me modelen seksi, pasi stafi e akuzonte atë se prish martesat e shokëve apo u merr të dashurat. Vetë Ikardi u armiqësua deri me familjarët e tij për shkak të Uandës. Nuk mund të rrinte pa komentuar dhe legjenda e futbollit botëror, argjentinasi Diego Armando Maradona, i cili këshillonte që Mauro Ikardi të rrijë larg përfaqësueses bardhekaltër, sepse është tradhtar dhe gjurmon gratë e shokëve të skuadrës.
“Ai është i pabesë, nuk mund të përfshihet në skuadër një lojtar që u vihet pas grave të shokëve”, – theksonte Maradona. Sipas tij, Argjentina ishte e destinuar të humbiste e të shkërmoqej nëse ftohej Mauro Ikardi në përfaqësuese dhe ai përmendte me emër si shkaktare të gjithë kësaj Uanda Narën. Edhe Interi po sulmon menaxheren dhe bashkëshorten e Ikardit. Qenka e thënë që kjo femër të sjellë vetëm stres, përderisa po nxjerr nga “binarët” një klub me emër të madh si Interi.