Gjergj Vyshka 27.09.2014 23:25
Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani, i shoqëruar nga zëvendëspresidenti Gjergji Ruli, si dhe anëtarët e Komitetit Drejtues, Ilir Gusho dhe Erald Dervishi, të enjten ka pritur një delegacion të Këshillit të Evropës.
Sipas informacionit që ka shpërndarë Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar nëpërmjet “Facebook”-ut, me përfaqësuesit e Këshillit të Evropës janë diskutuar çështjet e antidopingut. Bezhani ka prezantuar situatën në lidhjen me dopingun në vend.
Madje ka shpjeguar dhe përpjekjet që bën Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar për shpërndarjen e informacionit dhe parandalimit të rasteve të dopingut.
E sipas asaj që i ka theksuar Bezhani përfaqësuesve të Këshillit të Evropës synohet rritja e përpjekjeve të përbashkëta mes Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për luftën kundër përdorimit të substancave të ndaluara.
Jo vetëm kaq, por një luftë e tillë duhet të shtrihet dhe tek federatat sportive, apo Komisioni Antidoping, për të çuar në zhdukje përfundimtare të fenomeneve të dopingut në sportin elitar shqiptar.