AlbanianSport.com 13/04/2020 21:50
ASNN – “As mish, as peshk”. Duke se kjo batutë po gjen zbatim në atë që po ndodh në futbollin botëror dhe atë evropian, e, për rrjedhojë, pritet të ndikojë edhe në futbollin shqiptar. Kjo për arsye se një situatë kaotike është duke krijuar për sa u përket kontratave të futbollistëve në futbollin shqiptar. Me pak fjalë, të gjitha klubet duhet të negociojnë me lojtarët për këtë pjesë, pasi në rast të kundërt, nëse nuk gjendet gjuha e përbashkët, rrezikohet që këto klube të mbeten pa futbollistë.
Në të njëjtën kohë, edhe zgjidhja që ofrojnë organizmat ndërkombëtarë që qeverisin lojën më popullore në botë, ndonëse duket se synon të ndihmojë klubet, nuk është se pritet të jetë aq e dobishme. Shefi ligjor i FIFA-s Emilio Garcia Silvero, e bëri të qartë se nuk mund të detyrojë ligjërisht lojtarët që të qëndrojnë me klubet përkatëse edhe pas mbylljes së kontratave. “FIFA nuk mund të zgjatë kontratat më larg se 30 qershori 2020, por dritaret e merkatos nuk do të jenë të njëjtat”, – ka sqaruar ai.
“Dhe lojtarët nuk do të mund të regjistrohen me klube të reja, merkato nuk hapet me 1 korrik 2020, – ka vijuar zyrtari i FIFA-s. – Nëse huazimi mbaron me 30 qershor 2020, lojtari teorikisht duhet të kthehet në klubin e tij, por dritarja e merkatos do të jetë e mbyllur dhe nuk do të llogaritet as kalimi dhe as si i regjistruar.” Spanjolli ka diskutuar edhe për një një ide të mundshme në lidhje me periudhat e ardhshme të transferimeve të futbollistëve. “Mund të ketë më shumë “dritare” të merkatos”, – ka pohuar ai.
“Do të varet nga fillimi dhe përfundimi i secilit kampionat, – ka theksuar Emilio Garcia Silvero. – Ideja është që “dritaret” të përfundojnë pak para fillimit të secilës ligë dhe nuk do të duhet të përkojnë.” Shumë ishin duke pritur që FIFA të zgjasë kontratat përtej 30 qershorit, në mënyrë që lojtarët që janë jashtë huazimit të mund ta përfundojnë sezonin me klubet e tyre përkatëse. Por tanimë është kreu i sektorit juridik të organizmit që qeveris futbollin botëror e ka hedhur poshtë këtë mundësi.
Pra nga deklarata e zyrtarit të FIFA-s, bëhet e qartë se klubet duhet të negociojnë që lojtarët të vazhdojnë të qëndrojnë pjesë e tyre edhe pas datës së mbarimit të kontratës dhe për Kategorinë Superiore apo edhe Kategorinë e Parë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, ky është një lajm i keq. Kjo sepse cilido prej lojtarëve do të jetë i lirë që të largohet në mbyllje të kësaj kontrate.
Dhe FIFA nuk mund të bëjë asgjë për ta ndalur veçse t’i pengojë regjistrimin në një klub apo një kampionat tjetër pa u mbyllur zyrtarisht sezoni në Shqipëri. Pra, nëse sezoni shtrihet përtej 30 qershorit, klubet shqiptare do të duhet të negociojnë një kontratë të re, sado afatshkurtër qoftë ajo. Duhet theksuar se numri i futbollistëve të huaj në nivelet e ndryshme të Kampionatit Kombëtar të Futbollit është i konsiderueshëm me nga 4-6 lojtarë nëpër ekipet e Kategorisë Superiores dhe 2-3 lojtarë në ato të Kategorisë së Parë.