Nga Gjergj Vyshka 06.04.2016 14:35
Kapitenia e Tiranës në volejboll për të reja, Stela Agolli, e përfshirë në sherrin e pas ndeshjes me Partizanin me lojtaren e të kuqeve, Livia Xhaferri, deri më 31 dhjetor nuk do të jetë e përfshirë në veprimtaritë kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe ato miqësore të organizuar nga FSHV. Ka edhe një gjobë prej 20.000 lekësh. Por e gjithë çështja dhe vetë vendimi ka më shumë gjëra të paqarta dhe mbetet shumë subjektiv. Në vendimin e marrë do të ishte normale të ishin përmendur emri i kryetarit të këtij Komisioni të Disiplinës së Federatës Shqiptare të Volejbollit dhe anëtarët e tij siç normalisht ndodh me futbollin kur merren vendime të tilla.
Në fakt është një vendim që nuk ka as nen dhe as pikë se ku është mbështetur, pasi për hir të së vërtetës rregulloret e brendshme të Federatës Shqiptare të Volejbollit, së bashku me Kodin e Etikës, qoftë në vitin 2011, por dhe në vitin 2014 nuk kanë asgjë të parashikuar kur bëhet fjalë për goditje të kundërshtarit, apo dhe të trajnerit. Sikurse të paktën pretendohet që ka ndodhur dhe që është shkruar në relacion nga gjyqtarët e ndeshjes Tirana-Partizani, Tafili-Zenullari. Edhe sikur të ketë ndodhur (pretendohet që ka jo vetëm relacion të gjyqtarëve, por dhe të policisë, për më tepër të Komisariatit Nr.3, për atë që ka ndodhur në Farie Hoti), në kushtet kur në volejbollin shqiptar kanë pasur dhe falje e lënie të dënimeve përgjysmë, Komisioni i Disiplinës duhet të ishte treguar disi më i lehtë në vendim.
Si akt i shëmtuar dhe që nuk duhet të ndodhë, dënohet, sepse nuk mund dhe nuk duhet të ketë shtyrje me duar, apo dhe ofendime, aq më tepër kur bëhet fjalë për ndeshje të rejash. Por dhe të humbësh sot një talent për një gabim që në moshat e reja ndodh, ka ndodhur dhe do të ndodhë, edhe kjo nuk është në të mirë të volejbollit shqiptar. U dënua për tetë muaj e gjysmë shkaktarja, që është në këtë rast Stela Agolli. Por ama pasojë pa shkak nuk mund të ketë. Nëse Agolli pretendon që shkaktar është trajneri i Partizanit, Ilir Thanasi, minimalja do të ishte dëgjimi nga Komisioni i Disiplinës i të gjitha palëve të përfshira në ngjarje dhe më pas vendimi.
Sigurisht që ne nuk kemi ka ndërmend të bëjmë avokatin e ngjarjeve të shëmtuara dhe do t’i pasqyrojë e dënojë ato së herë që ndodhi, siç edhe kemi bërë, por ndoshta Komisioni i Disiplinës duhet të ishte treguar disi më tolerant. Kuptohet që Agolli është bërë shembull për t’i dhënë mesazhin të gjithë të rinjve dhe të rejave të volejbollit që duhet të merren me sport dhe jo me gjërat antisportive jashtë parketit. Veçse nëse vendimi është marrë për të tjera arsye që nuk kanë të bëjnë thjesht lidhje me lojtaren Agolli, atëherë kjo do të ishte shumë e rëndë për vetë institucionin e Federatës Shqiptare të Volejbollit.
Praktikisht në vendim duhet të ishte parashikuar dhe një kohë apelimi për të dënuarën, sepse përderisa Agolli dhe Xhaferri i kanë dhënë dorën njëra-tjetrës, atëherë gjërat janë mbyllur mes tyre dhe nuk ka më konflikt. Gjithsesi Komisioni i Disiplinës i Federatës Shqiptare të Volejbollit tashmë e ka dënuar tetë muaj e gjysmë Stela Agollin, ndërsa është treguar me të vërtetë me dorë të ashpër…