AlbanianSport.com 04.04.2016 18:00
ASNN – Ajo që pritej, tashmë është zyrtare. Afro 3 javë pasi pati zyrtarizuar largimin nga drejtimi i përfaqësueses italiane të futbollit pas Evropianit “Francë 2016”, Antonio Konte është konfirmuar si trajneri i ardhshëm i Çellsit.
Trajneri, i përfolur gjithnjë e më tepër në lidhje me vendin bosh në “Stemford Bridxh”, ka kurorëzuar kështu tranzicionin e tij nga stoli i të kaltërve të Italisë, tek stoli i bluve të kryeqytetit britanik, Londrës.
Presidenti i Federatës Italiane të Futbollit, Karlo Tavekio, pati deklaruar në mesin e marsit se trajneri i ka shprehur se ndjen nevojën që të jetë çdo ditë në fushën e blertë, për të stërvitur çdo ditë një skuadër.
Një gjë e tillë është bërë realitet dhe Konte ka nënshkruar me londinezët një kontratë 3-vjeçare me vlerë të përgjithshme prej 15 milionë stërlinash angleze. Kjo kontratë, që kap vlerën vjetore të 5 milionë stërlinave angleze, parashikon edhe një shpërblim prej 5 milionë eurosh për fitimin e trofeut të Ligës së Kampioneve.
46-vjeçari u emërua trajner i Italisë në gusht të 2014-ës, vetëm 35 ditë pasi kishte dhënë dorëheqjen si trajner i Juventusit, të cilin e kishte udhëhequr drejt 3 titujve “kampion” radhazi.