AlbanianSport.com 27/08/2021 23:55
ASNN – Presidenti i UEFA-s, Aleksandër Çeferin, pasi prezantoi trofeun e ri të Ligës së Konferencës, u shpreh se komuniteti i futbollit e ka mirëpritur krijimin e kësaj veprimtarie të re dhe ka shumë entuziazëm nga të federatat anëtare për këtë turne: “Futbolli është gjithëpërfshirje, futbolli është historia jonë, futbolli është pasioni ynë dhe çdokush duhet të ketë një shans për të ëndërruar për të luajtur në veprimtaritë evropiane”, – tha fillimisht ai.
“Unë mendoj se këto veprimtari tregojnë se vendet e vogla mund të luajnë me vendet e mëdha, çdokush mund të luajë më këdo, – ka vijuar kreu i organizmit që qeveris futbollin kontinental. – Futbolli nuk është sport vetëm për elitën, nuk është një sport vetëm për njerëzit më të pasur në botë, por është sporti ynë dhe askush nuk mund të na e largojë. Reagimet nga federatat anëtare të UEFA-s për këtë turne kanë qenë të shkëlqyera.”
“Kur shikon se si federatat e mëdha, të mesme apo të vogla janë kaq unanime për diçka është shumë emocionuese. Sigurisht, në fillim kishim disa kritika nga njerëz që kritikojnë gjithçka, por më pas kritikat u ndalën, sepse e panë që ky është një turne shumë serioz”, – përfundoi presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin, duke folur gjatë ceremonisë së shortit të fazës së grupeve të veprimtarisë më të re të klubeve të kontinentit, Ligës së Konferencës.