AlbanianSport.com 11.06.2015 13:25
ASNN – Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) shtyn sërish vendimin për ndeshjen Serbi-Shqipëri, të luajtur më 14 tetor të vitit të shkuar në Beograd dhe të ndërprerë në minutën e 41-të të pjesës së parë. Me anë të një njoftimi të publikuar në fazen e saj zyrtare në internet, Federata Shqiptare e Futbollit bën të ditur se vendimi nuk do të merret më 12 qershor, por më 10 korrik.
Të kontaktuar nga ABC News, drejtues të federatës bëjnë të ditur se kjo shtyrje ka të bëjë me volumin e madh të dosjes së paraqitur në Gjykatën e Lozanës nga ajo dhe Federata Serbe. Kjo është hera e dytë, që KAS shtyn vendimin, por megjithatë në FSHF vazhdojnë të shpresojnë në një vendim pozitiv për Shqipërinë, e cila kërkon anulimin e vendimeve të Komisioneve të UEFA-s dhe dhënien e 3 pikëve në tavolinë.
Kështu, Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë nuk do të japë ende një vendim për ndeshjen e ndërprerë të futbollit midis Serbisë dhe Shqipërisë, e vlefshme për Eliminatoret e Kampionatit Evropian “Francë 2016”. Lajmin e ka bërë të ditur Federata Shqiptare e Futbollit nëpërmjet faqes së saj zyrtare, teksa ka cituar se, nëpërmjet një letre zyrtare, CAS-i e ka shtyre sërish për në 10 korrik 2015 vendimin e rëndësishëm për ndeshjen Serbi-Shqipëri.
Sipas organizmit që qeveris futbollin shqiptar, në letrën e CAS-it nuk jepet asnjë arsye për këtë shtyrje të vendimit, i cili, në fakt, pritej të zbardhej më datën 12 qershor, një ditë përpara ndeshjes miqësore, që Shqipëria do të zhvillojë me Francën. Tashmë duhet të presim zbardhjen e vendimit më datë 10 korrik 2015 për të mësuar se çfarë do të ndodhë me fatin e kësaj ndeshjeje.