Gjergj Vyshka 01.03.2015 13:50
Bylisi, me atë fitore spektakolare dje në fushën me bar artificial të Akademisësë Futbollit “Internacional” në Pezë-Helmës, tashmë e ka nxjerrë nga loja Dinamon për pretendimet e saj për t’u ngjitur në Kategorinë Superiore. Një humbje me ballshiotët, që përpara ka pasur dhe heqjen e pikëve nga FIFA për rastin “Putinçanin”, por që pritet të ketë dhe masa të tjera të tilla, duket se e kanë detyruar trajnerin e Dinamos, Dritan Mehmeti, që të shikojë pozicionin e tij në përfundim të ndeshjes. E thënë ndryshe, zyrtarisht ka dhënë dorëheqjen dhe tashmë pritet vendimi i drejtuesve.
Por ajo që duhet pranuar është fakti se Dinamo ka qenë në ditën e saj më të keqe duke bërë një lojë që la shumë për të dëshiruar. Në krahun tjetër një Bylis që me tre fitore radhazi në pjesën e dytë të kampionatit ka qenë më i karikuar për të marrë suksesin. Dhe ia ka dalë. I ka marrë mesfushën Dinamos, ka shfrytëzuar mjaft mirë terrenin e mrekullueshëm të Pezës dhe falë aftësive të Basriut dhe Dhramit, me dy gjuajtje nga distanca prej rreth 20 metrash, ka dalë fitues i sfidës direkte për në Superiore me Dinamon.
Blutë kanë qenë nervoz dhe për rrjedhojë janë ndëshkuar me kartonë të verdhë dhe më pas të kuq. Sigurisht që mundet ballshiotët ta kenë tepruar me shtrirjet e tyre në fushë për të vonuar minutat e lojës. Por kur kanë qenë gjatë gjithë kohës në kontrollin e ndeshjes dhe kërcënues për portën e Dinamos, ndërsa golat e tjerë janë shmangur si nga pritjet e Kotorrit, ashtu dhe nga shtylla. Blutë janë kujtuar të luajnë kur kanë mbetur me dhjetë futbollistë, ndërsa kanë ushtruar presion për të gjetur të paktën golin e barazimit.
Por ka qenë shumë vonë, ndërsa Bylis i është gëzuar fitores me Dinamon, e cila është e katërta radhazi. Reagimi i tifozëve blu në formë proteste ndaj gjyqtarit Kola dhe ndihmësve të tij, apo dhe ndaj lojtarëve, ka qenë i atillë që do të thotë se Dinamo tashmë është dorëzuar dhe nuk ka më shpëtim. Çka nënkupton që edhe për një vit do të jetë në Kategorinë e Parë e mos më keq.