AlbanianSport.com 19.06.2015 15:20
ASNN – Kampionia Skënderbeu shkon në Shkodër në javën e parë të Kategorisë Superiore, Partizani pret Laçin, ndërsa Tirana shkon në Pukë. Këto janë disa nga ndeshjet e fillimit të kampionatit shqiptar që nis në 22 gusht, nga i cili gjithsesi rrezikojnë të përjashtohen dy ekipe.
Bylisi i Ballshit dhe Tërbuni i Pukës ende nuk plotësojnë kushtet dhe Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Ilir Shulku, paralajmëron se afati për ta është deri në 31 korrik 2015. Menjëherë pas shortit të hedhur në selinë e Federatës, Shulku, deklaroi se ballshiotët dhe pukjanët nuk e kanë 31 korrikun si afat përfundimtar.
Shulku u shpreh se Federata është e kënaqur nga edicioni i vitit të kaluar, por kërkon bashkëpunimin me prokurorinë dhe policinë për të luftuar fenomenin e trukimit të ndeshjeve. Superiorja do të ketë përsëri 10 skuadra dhe do të luhet me 4 faza, me 36 ndeshje gjithsej.
Në javën e saj të parë Flamurtari do të presë Teutën, ndërsa Kukësi ndeshet me Bylisin. Për ballshiotët ky është një rikthim në elitë, ndërsa për Tërbunin e Pukës është një debutim.