AlbanianSport.com 28/10/2018 19:50
ASNN – Takimi më i spikatur i javës së 7-të të grupit B, apo grupit të Jugut, të nivelit të dytë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, që njihet si Kategoria e Parë, ka qenë ai që u zhvillua të dielën, midis Bylisit dhe Pogradecit. Në fakt, ndeshja e luajtur në Stadiumin “Adush Muça” të Ballshit dhe e sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH Sport, ka qenë e varfër në raste në 20 minutat e para.
Vetëm në minutën e 22-të, Dose depërton në qendër, godet në hyrje të zonës, por bllokon mbrojtja pogradecare. 8 minuta më pas, Antoni provon me një goditje nga larg, por portieri Mali pret në pozicion. Megjithatë, ballshiotët këmbëngulin dhe në minutën e 36-të, përfitojnë nga shpërqendrimi i mbrojtjes mike dhe Zefi depërton bukur në zonë, duke pasuar në qendër për Antoninë, që nuk e ka të vështirë të shënojë dhe ta kalojë Bylisin në epërsi.
Vendasit nuk ndalen dhe, dy minuta para përfundimit të pjesës së parë Kofi Dose provon me një goditje të lirë, por nuk e gjen dot kuadratin. Me epërsinë minimale të Bylisit do të mbyllen 45 minutat e para, ndërsa ato të dytat do të jenë të luftuara, por pa dhuruar gola të tjerë, edhe pse në minutën e 86-të, portieri Bytyçi është vendimtar për ballshiotët, me ndërhyrjet e tij në dy raste brenda 60 sekondave, duke devijuar fillimisht një harkim nga e majta dhe duke grushtuar më pas një goditje nga larg të pogradecarëve.
Përfundimisht kjo sfidë mbyllet 1-0 në favor të Bylisit, që ka mposhtur kështu Pogradecin dhe është ngjitur mbi liqenorët në renditje, në vendin e dytë, me 13 pikë, një më pak sesa Besa kryesuese.