AlbanianSport.com 16.09.2016 12:30
ASNN – Ledjon Muçaj është një nga kualitetet e skuadrës mallakastriote. Muçaj ka luajtur qysh 17-vjeç me mallakastriotët në Kategorinë e Parë dhe Superligë. Më pas një eksperiencë në Spanjë dhe rikthimi në elitë me Apoloninë e Besën, por edhe Bylisin ku ka luajtur në tri edicionet e fundit.
“Bylisi është stërvitur dhe është gati për elitën, – ka thënë futbollisti i mallakastriotëve. – Jam i bindur qe do të përsëritim suksesin e dy viteve më parë. Tek Bylisi çdo gjë funksionon si skuadër elite. Infrastruktura është moderne. Ndaj edhe unë jam i bindur dhe besoj se në fund të edicionit do të jemi në elitë.”
Ndërkohë, konfirmohet se klubi i Bylisit i ka paguar të gjitha detyrimet për regjistrimin dhe licencimin për sezonin e ri, madje në masën 100% dhe jo me këste si disa klube të tjera. Ballshiotët brenda afatit kanë shlyer detyrimet dhe janë kështu gati për garën dhe sezonin e ri.