Gjergj Vyshka 15.01.2015 12:40
Bylisi i Ballshit, me objektivin madhor për t’u ngjitur menjëherë në Kategorinë Superiore, nuk është ndalur në tregun e lëvizjeve të futbollistëve. Pasi ka bërë të vetin Liçajn nga Flamurtari, Pepajn nga Teuta, Xhafa nga Apolonia dhe Shehaj nga Luftëtari, dje ka ardhur dhe firma e pestë për ballshiotët. Bëhet fjalë për Ledion Muçën, i cili zyrtarisht është pjesë e Bylisit.
Ndërsa kontrata e firmosur dje mes tij dhe drejtuesve ballshiot është e pesta në dimër. Ajo që duhet pranuar është fakti se Muçaj ka qenë pjesë e ballshiotëve, ndërsa rikthehet tek Bylisi pas katër vjetësh mungesë. Mesfushori, pasi është larguar nga Bylisi, për dy vjet ka luajtur tek Apolonia, kurse sezonin e kaluar ka qenë pjesë e Besës së Kavajës.
Përfundimisht, pasi është bindur nga oferta e drejtuesve ballshiot, ka vendosur të kthehet tek Bylisi. Kurse skuadra e Roland Nenajt, pas përforcimeve që ka bërë Dinamo në grupin e Jugut, duket më cilësorja në lëvizjet që ka bërë në tregun e futbollistëve në dimër. Dhe tashmë Bylisi do të nisë ndeshjet miqësore, ndërsa të shtunën do të jenë në Berat.