AlbanianSport.com 23.01.2015 14:55
ASNN – Bylisi mund të quhet me plot gojë një skuadër “puro shqiptare. Sepse tanimë i ka dhënë “duart” edhe pesë nigerianëve, të cilët, edhe sipas drejtuesve ballshiotë, nuk mund të bënin diferencën me pjesën tjetër të skuadrës së Roland Nenajt.
Ndërkohë pasi ka bërë pesë afrime në tregun e lëvizjeve të futbollistëve në dimër, të cilët janë Liçaj, Pepa, Xhafa, Shehaj dhe Muçaj, Bylisi është në pritje të një portieri nga Kategoria Superiore.
Të mërkurën skuadra ballshiote e drejtuar nga Roland Nenaj ka bërë dy ndeshje miqësore. Skuadra është ndarë në dy pjesë, atje ku një grup paradite ka luajtur me Apoloninë e Nën-19-vjeçarëve dhe ka fituar 2-0.
Kurse pasdite titullarët janë mundur nga Elbasani 0-2. Të shtunën Bylisi ka ndeshjen miqësore të radhës, ndërsa do të luajë me Besën në Kavajë.