AlbanianSport.com 15/01/2021 17:15
ASNN – Në takimin tjetër të javës së 14-të të Kategorisë Superiore, që luhet sonte, Bylisi ka një ndeshje të rëndësishme në Durrës, dhe pas paraqitjes së mirë me Tiranën ballshiotët kërkojnë një tjetër rezultat pozitiv ndaj Teutës. Duke folur para medieve të enjten, trajneri Veljko Dovedan rrëfeu gjendjen në ekip dhe lëvizjet që kanë ndodhur. Sipas tij, edhe pse Bylisi luan me një nga ekipet më të forta, është parë qartë se si është mundur skuadra e tij në dy ndeshjet e vjetshme në Durrës.
Dovedan e thotë hapur se Bylisi do të bëj futbollin e bukur dhe do të synojë tri pikët në “Niko Dovana”. “Ne po bëjmë më së miri punën tonë, – ka deklaruar serbi i stolit ballshiot. – Stërvitemi dhe po përpiqemi që në fushë të luajmë si të barabartë me të gjithë. Ndaj Tiranës, edhe pse me mungesa, Bylisi dominoi në mbajtjen e topit dhe raste në portë, për të mos folur më pas për penalltinë, ku shpresoj të jetë e fundit që nuk na jepet apo që na jepen të dyshimta.
Ndeshja e fazës së parë midis dy skuadrave, e zhvilluar në Ballsh, u mbyll në barazim dhe Dovedani pret një sfidë interesante edhe në Durrës, teksa thotë: “E njoh mjaftueshëm që ta përgatis skuadrën time për këtë takim, që Bylisi të luajë bukur. Ky është synimi im që kur kam ardhur në Ballsh. Përvojën time dua ta vë në shërbim të Bylisit dhe futbollit shqiptar që të luajmë futboll argëtues. Teuta është një nga ekipet më të mira dhe unë dua që të luajmë bukur dhe të marrim rezultat pozitiv.”
Po a do të kënaqej ai me një pikë edhe në Durrës? “Në çdo ndeshje luajmë për të fituar. Nuk kemi pasur këtë sezon ndonjë kundërshtar që na ka dominuar, – përgjigjet serbi. – Kudo kemi luajtur si të barabartë apo më mirë. Në futboll duhet edhe fati, pa ndikuar faktorë të tjerë. Do luftojmë do bëjmë futboll të bukur në çdo fushë dhe sigurisht që do të evidentojmë edhe talente. Nuk është pak që Bylisi shet lojtarë. Pastaj projekti i presidentit me mua duket në rrugë të mbarë sepse është një klub që ka të gjitha strukturat e ngritura dhe që premton për të ardhmen si klub evropian.”