AlbanianSport.com 23.05.2016 13:45
ASNN – Nga ballshiotët janë larguar lojtarët pa kontratë, dje dy ballkanasit kanë udhëtuar për në shtetet e tyre. Me mbarimin e kampionatit të mërkurën e kaluar, Bylisi ka marrë zyrtarisht pushimet dhe nuk dihet se si do të rrjedhin ngjarjet te mallakastriotët.
Por këto ditë ka pasur konfirmime nga lojtarët titullarë dhe jo vetëm të skuadrës ballshiote, të cilëve u ka përfunduar kontrata dhe shprehin divorcin e tyre zyrtar. Dje janë larguar për në shtetet e tyre dy mbrojtësit, Dushko Dukiç, si dhe Borislav Simiç. Të dy lojtarët kanë qenë titullarë në Ballsh.
Simiçi erdhi në verën e shkuar, kurse Dukiçi ishte një nga përforcimet e bujshme të presidentit Kapllanaj në merkaton e janarit. Deri më tani nga ballshiotët, krahas trajnerit Zilzoviç dhe njërit prej ndihmesave të tij Nexhipi, kanë konfirmuar largimin e tyre nga ekipi edhe Ruci, Tairi, Simiç, si dhe Dukiç, por edhe Varea e Alla.
Megjithatë, te ballshiotët ka edhe futbollistë të cilët kanë qenë titullarë dhe kanë spikatur dhe që janë ende nën kontratë. Ndaj ,edhe për ta, do të jetë presidenca që do të vendosë.