AlbanianSport.com 21.04.2016 11:35
ASNN – “Kjo skuadër s’e meriton të bjerë, jemi persekutuar nga gjykimet dhe padrejtsitë, por rikthehemi te tri pikët”. Albi Alla është një nga pikat e forta të Bylisit, i cili u bë pjesë e mallakastriotëve në janarin e shkuar. I rikthyer në një nga pikat më të forta të skuadrës së trajnerit Adnan Zildzoviç, Alla ka provuar që të luajë në mbrojtje, por edhe mesfushë.
Në prag të sfidës me Laçin, e cila po pritet me mjaft interes në qytetin e Ballshit, Alla thekson se Bylisi do t’i thyejë kurbinasit, madje edhe me goleadë. Sipas Allës, jo Laçi, por asnjë skuadër nuk do të ketë shanse që të marrë qoftë edhe një pikë në Ballsh në takimet e mbetura.
Në një prononcim për “Sport Ekspres”, Alla thotë: “Kam ardhur te Bylisi, nisur edhe nga projekti i drejtuesve, të cilët kur më bën ofertën më thanë që këtë edicion do të mbijetojmë dhe më pas do të synojmë Evropën. Madje do të synojmë të marrim dhe trofe duke qenë se presidenti Kapllanaj ka edhe një projekt madhor për futbollin.”
“Natyrisht që këtu jam i kënaqur me kushtet dhe korrektesën që kanë treguar, por edhe me trajtimin që neve na bëhet, – ka vijuar ai. – Mendoj se Bylisi në pjesën e dytë të sezonit e ka ndërruar skuadrën në total. Por edhe është rritur shumë dhe me të gjitha ekipet në lojë ne kemi qenë të barabartë.”
“Këtu kam parasysh ndeshjet jashtë por edhe brenda me Skënderbeun dhe Partizanin. Me sa kam parë, kampionati s’ka diferenca. Kam luajtur në Greqi, por nuk kam vënë re ndëshkime siç na kanë ndodhur me Bylisin, mbi 1,000 kartonë të verdhë dhe të kuq, si asnjë skuadër tjetër për Evropë”, – ka përfunduar futbollisti ballshiot.