AlbanianSport.com 06.11.2014 23:35
ASNN – Ka vlejtur malazezi Bushiç për Tiranën, i cili ka shënuar golin e tij të tretë në Kupën e Shqipërisë. Pas dygolëshit të realizuar ndaj Sopotit në Fushën Sportive “Nexhip Trungu” të Cërrikut në turn e kaluar, Bushiç ka shënuar përsëri. Tirana e ka dominuar ndeshjen, ndërsa në pjesën e parë Malaj ka goditur edhe shtyllën e portës së mbrojtur nga Kaloshi.
Në pjesën e dytë, bardheblutë kanë shtuar presionin dhe kanë shënuar me anë të Bushiçit, që ka realizuar 7 minuta para përfundimit të kohës së rregullt, në të 83-n. Në fakt për Bylisin, Kupa e Shqipërisë është një veprimtari që nuk ka pasur shumë rëndësi, ndërsa të gjithë kanë qenë të përqendruar tek kampionati, apo tek ndeshja e radhës me Tomorin në Berat.
Sipas të gjitha gjasave, Tirana do të jetë përballë fitueses së çiftit Apolonia-Teuta. Në kampin e ballshiotëve e kanë quajtur një ndeshje pozitive, ndonëse në pjesën e parë sulmi nuk ka funksionuar si duhet. Edhe në pjesën e dytë, Bylisi që mund të merrte barazimin ka vuajtur finalizimin. Në fund Tirana i është kënaqur fitores.
Bylis – Tirana 0-1
Shënues: Bushiç 83’
Bylisi: Kaloshi, Gjonbrataj, Kuçi, Bualli, Aliaj, Gega (Borakaj 49’), R. Prifti, Mustafaraj (Shehaj 46’), Kolgega, Dervishi, Sako. Trajner: R. Nenaj.
Tirana: Ed. Bakaj, Kërçiku, Muça, Pashaji, Kalari (Gavazaj 46’), Karabeci, Malaj, Taku, Kagere (Bushiç 46’), Olaki (Halili 55’), Hyshmeri. Trajner: G. Magani.
Gjyqtarë: H. Llapra, R. Malaj, E. Rrapi (Vlorë)
Kartonë të verdhë: Shehaj, Kalashi, Prifti / Olaki, Gavazaj