AlbanianSport.com 23.11.2016 19:00
ASNN – Mësohet se buxheti i caktuar nga qeveria shqiptare për sportin në vitin 2017 pritet të pësojë një tkurrje të ndjeshme. Edhe pse investimet në infrastrukturë kanë njohur rritje gjatë viteve të fundit, ndihma ekonomike me të cilën mbijetojnë federatat sportive në Shqipëri ka ardhur duke u ulur dhe kjo çështje është bërë temë diskutimesh dje pasdite në komisionin parlamentar “Për edukimin dhe mjetet e informimit publik”, ku nuk kanë munguar debatet me tone të larta.
Sipas parashikimit, në vitin 2017, për sportin do të caktohet në buxhet shuma 186 milionë lekë në total, rreth 3,5 herë më pak se ai i vitit 2016. Njëri prej zërave më të fortë pro sportit, edhe për shkak të së shkuarës së tij si sportist dhe ish-drejtues sporti, deputeti i Partisë Socialist, Fidel Ylli, i pranishëm në mbledhje, ka kërkuar që kjo shifër të rritet përsëri ose të paktën të rishikohej, pasi në këto kushte ishte e pamundur të flitej për sport elitar.
“Pa para nuk bëhet sporti, – ka thënë ish-sportisti që pati hartuar programin e mazhorancës për sportin më 2013-ën. – Duhen para. Ta dijë i gjithë opinioni publik dhe t’i themi kryeministrit që ta ngremë buxhetin e sportit elitar, që t’i mbajmë sportistët këtu.” “186 milionë lekë janë pak, por janë mjaftueshëm për të filluar një histori të re në kuptimin e përdorimit të këtyre parave me shumë efiçencë”, ishte përgjigja e ministres Nikolla, për alarmin që ngriti deputeti socialist.
Sipas Drejtorit të sporteve pranë Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Vladimir Gjoni buxheti për grantet e federatave nuk ke ndryshuar, thjesht janë ulur shifrat për investime në infrastrukturë.