AlbanianSport.com 11.01.2015 17:55
ASNN – Butrinti dhe drejtuesit e saj e kanë konfirmuar që tashmë ka një interesim të Tërbunit për Arbër Dhramin. Dhe këtë e kanë bërë të ditur nëpërmjet faqes në “Facebook” të KS Butrintit.
Nëse largohet dhe Dhrami e në kushtet kur Rraboshta dhe Mustafaji do të mungojnë në ndeshjen e 7 shkurtit në fushë të huaj ndaj Pogradecit, atëherë i bie që i gjithë reparti i sulmit i skuadrës së Mustafa Hysit të jetë i zbuluar.
Për rrjedhojë pranë Butrinti është vetëofruar Elhan Galica. Sulmuesi shkodran, i cili ka bërë lëmsh këto ditë të gjithë tregun e lëvizjeve të futbollistëve në dimër, një herë tek Dinamo, më pas tek Tomorit, pastaj tek Naftëtari, por me një mendje tek Lushnja e tani tek Butrinti, mund të jetë një zgjidhje ideale.
Megjithatë do të jenë drejtuesit e skuadrës ata që do t’i kthejnë përgjigje këtij lojtari, nëse do të jetë i vlefshëm për skuadrën apo jo. Gjithsesi Butrinti marrjen e një sulmuesi e ka domosdoshmëri.