Gjergj Vyshka 18.02.2015 07:55
Butrinti jo vetëm që ka nisur të mendojë për ndeshjen e radhës me Lushnjën në “Roza Haxhiu”, por mbi të gjitha ka bërë dhe planet se si pas tre javësh do të mund të jetë në krye të grupit të Jugut të Kategorisë së Parë për të menduar më pas për realizimin e ëndrrës historike atë të ngjitjes në Superiore.
Sarandjotët e Mustafa Hysit kanë nisur të mendojnë dhe të llogarisin me laps në dorë. Që do të thotë se këtë javë e shohin një sfidë direkte atë të tyren me Lushnjën, por në të njëjtën kohë llogarisin që peqinasit mbesin më shumë se të rrezikuar nga rënia në Kategorinë e Dytë nëse nuk fitojnë me Dinamon.
Pa thënë që me çdo rezultat tjetër e shohin veten jashtë luftës për në Superiore. Më pas e mendojnë të lehtë në letër sfidën e 28 shkurtit në Sarandë me Shkumbinin, ndërkohë që kërkojnë të përfitojnë sa më shumë dhe nga përplasja e rivalëve për t’u ngjitur në Superiore mes Dinamos e Bylisit.
Pa thënë që llogarisin se Luftëtari nuk e ka luksin për të lënë pikë në sfidën ndaj Lushnjës, e cila do të luhet në Gjirokastër. Dhe 4 marsi duket se është dita e sfidave direkte, kur Butrinti do të presë Dinamon e Lushnja me Sopotin. “Këto janë tre javët që mund të na çojnë në krye, por dhe mund të na zhysin poshtë”, kanë thënë sarandjotët.
Në një farë mënyre, ata kërkojnë dhe ndihmën e atyre skuadrave që luftojnë për mbijetesë. Ndoshta jo me aleanca, por presin shumë nga Shkumbini dhe nga Luftëtari. Megjithatë Butrinti varet dhe nga vetja, ndonëse tashmë i kanë bërë planet se si për tre javë do të jenë në krye të grupit të Jugut të Kategorisë së Parë.