AlbanianSport.com 13.02.2015 17:05
ASNN – Ka shqetësim në Sarandë për moshat ndërkohë që të rriturit janë duke u përgatitur për sfidën e radhës me Naftëtarin në fushën e tyre. Madje për shkak të dënimit nga Komisioni i Disiplinës, Butrinti përballjen me Naftëtarin e luan pa tifozë, të cilët kanë shfaqur shqetësimin e tyre për mungesën e moshave.
Por djemtë e Hysit kanë një motiv më shumë për të fituar me Naftëtarin për tifozët e munguar në stadium. Në Sarandë, edhe pse ekzistojnë skuadrat e moshave Nën-17 dhe Nën-19-vjeç të Butrintit, të cilat aktualisht qëndrojnë dhe luajnë në Kategorinë e Parë, duket se ka rënë interesi për moshat. Ndonëse ato mund të jenë një bazë e mirë furnizuese për ekipin e parë.
Dhe për këtë situatë ka lindur dhe një shqetësim tek tifozët e Butrintit, të cilët pretendojnë se para 3-4 vjetësh skuadrat e moshave ishin në vendet e para dhe për shkak të makinacioneve të Federatës Shqiptare të Futbollit nuk janë lejuar të ngjiten në Superiore.
Por tashmë interesi dhe niveli i tyre ka rëndë, ndërsa janë të detyruar të paguajnë vetë për të përfaqësuar qytetin. “A ka njeri që mban përgjegjësi për këtë degjenerim të skuadrave të moshave? – kanë ngritur shqetësimin drejtuesit e Butrintit. – Nën-17 dhe Nën-19-vjeçarët janë burimi oksigjeni për ne, si dhe nëse nuk investohet tek ata, ku duhet investuar ndryshe?”