Olgert Serani 05.10.2014 16:10
Lënia jashtë bursës olimpike të mundësit të Kombëtares shqiptare në stilin e lirë, siç duket, nuk është pritur mirë nga Egzon Shala, kandidati i vetëm i propozuar nga Federata Shqiptare e Mundjes. Me gjithë kërkesën e bërë nga federata për përzgjedhjen e emrit të Shalës, paneli ndërkombëtar sipas KOKSH-it zgjodhi mes dy kandidatëve sportistin e Tiranës, Osman Hajdarin.
I kontaktuar nga “Panorama Sport”, kampioni i vendit të pestë në Kampionatin Evropian në 2013-n; medalist i bronztë në Lojërat Mesdhetare “Mersin 2013″ dhe së fundmi vendi i 7- të në botë, nuk ka preferuar të bëjë polemika, duke thënë se i duhet pak kohë për t’u konsultuar përpara se të dalë në një qëndrim zyrtar. Ndërkohë Shala, në një postim në rrjetin social “Facebook”, la të nënkuptohet se ndihet i zhgënjyer.
“Vetëm në Komitetin Olimpik Shqiptar ndodh kështu”, – ka shkuar ai shkurtazi. Një ditë më parë presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani, u shpreh se sportisti në fjalë nuk sjell garanci për të ardhmen, pasi edhe mund të largohet nga Shqipëria. Ndërkaq, në një reagim për gazetën, federata deklaroi se Komisioni Teknik kishte përjashtuar kandidaturën e vetme të propozuar prej tyre, përkatësisht Egzon Shalën dhe ka përfshirë një tjetër sportist pa dijeninë e tyre.
Ndonëse përshëndeti nismën e përfshirjes së mundjes në projektin e bursave olimpike si sport elitar, federata ka shtuar në qëndrimin në fjalë se për këtë çështje do t’u drejtohen organizmave ndërkombëtarë. “Shprehim keqardhjen për veprimin e radhës aspak të denjë të ndërmarrë nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar ndaj Federatës Shqiptare të Mundjes. Të indinjuar me shmangien e federatës nga ky proces, ne konfirmojnë se zgjedhja nga ana e Komitetit Olimpik ka qenë selektive dhe e qëllimtë”.