AlbanianSport.com 01.11.2014 09:45
ASNN – Portieri i Burrelit, Andi Xhixha, është i mendimit se ndeshja ndaj Tërbunit, e cila do të zhvillohet sot në “Liri Ballabani” të matjanëve, do të jetë e fortë dhe interesante. Ai shton se skuadra matjane do të fitojë, pasi është e favorizuar në disa drejtime. “Ne nuk kemi mungesa në formacionin bazë, – ka thënë Xhixha. – Madje kemi dhe dy brazilianët të gatshëm, që nuk luajtën ndeshjet e para të kampionatit.”
“Kemi mbështetjen e qindra tifozëve, që kanë premtuar se do të mbushin shkallët e stadiumit, – vijoi portieri i matjanëve. – Kemi po ashtu optimizmin dhe përgatitjen fiziko-taktike të lojtarëve që garantojnë sukses në këtë përballje.” Duke iu referuar renditjes dhe rezultateve të dobëta të ndeshjeve të kaluara, Xhixha justifikohet se me Besëlidhjen humbja minimale erdhi në sekondat e fundit.
Siç dihet ndeshje e javës së dytë me Mamurrasin nuk u luajt se nuk kishte forca policie dhe ndeshja iu dha nga Komisioni i Disiplinës vendasve. Sakaq për ndeshjen me Veleçikun, që u luajt në Krujë, sipas Xhixhës matjanë kanë qenë superiorë në të gjitha drejtimet, por fati nuk ishte në anën e tyre.
Gardiani i portës gjermane shton se lojtarët kanë premtuar se do të zhvillojnë një lojë të bukur dhe fitorja nuk mund të vihet në pikëpyetje. “Ka shumë rëndësi që gjykimi i ndeshjes të jetë korrekt dhe profesional, – tha ai. – Ne duam vetëm mundin dhe djersën tonë.”
“Them se do të shënojmë që në minutat e para dhe situatën do ta mbajmë nën kontroll deri në fund”, – përfundoi portieri i Burrelit, Andi Xhixha. E formacioni i mundshëm i Burrelit në sfidën me Tërbunin do të jetë: Xhixha, Met’hasani, Qendro, Kaloshi, Mellugja, Rapo, Myftaraj, Pirani, Mata, Çezar, Santos.