AlbanianSport.com 30.10.2014 13:50
ASNN – Altin Bruka, lojtari i ardhur nga Besëlidhja e Lezhës te skuadra matjane, u shpreh dje se kritikat e kryetares së Bashkisë Burrel, Adelina Farrici, në adresë të skuadrës së futbollit janë të drejta dhe se ekipi duhet të bëjë kthesë të menjëhershme. “Kryetarja kërkoi me të drejtë rezultate më të mira, – ka deklaruar ai. – Bashkia ka realizuar të gjitha detyrimet e kontratës me futbollistët.”
“Pagat, ushqimi, fjetja, baza materiale e gjithçka tjetër janë dhënë në kohën e duhur, – ka vijuar Bruka. – Them se kampionati vërtetë nisi ters për ekipin tonë, pasi u ndëshkuam dhe me një humbje në “tavolinë”. Por besoj shumë te aftësitë dhe cilësitë e futbollistëve të Burrelit. Autokritika jonë do të jetë fitorja me Tërbunin dhe vijimi normal i ndeshjeve të mira.”
Futbollisti i Burrelit shtoi se me të drejtë dhe tifozët janë “zemëruar” me ekipin. “Ata kanë plotësisht të drejtë të kërkojnë më shumë nga ne”, – ka theksuar Bruka. Sipas tij do të ketë një vlerësim maksimal për ndeshjen me Tërbunin. “Ne do të zhvillojmë një lojë të fortë dhe të bukur me Tërbunin, – ka thënë ai. – Me siguri shkallët e “Liri Ballabanit” do të jenë plot dhe ne do të paraqitemi mirë.”
“Do të sulmojmë me të gjitha energjitë tona që në fillim të ndeshjes duke e kërkuar fitoren nga minuta e parë e deri në mbyllje të takimit”, – përfundoi Altin Bruka, lojtari i ardhur nga Besëlidhja e Lezhës te skuadra matjane.