AlbanianSport.com 04.11.2014 09:45
ASNN – Tifozët e Burrelit janë të shqetësuar për rezultatet e 5 javëve të para. Skuadra ka grumbulluar vetëm tri pikë, që do të thotë se problemet janë të mëdha dhe të akumuluara në skuadrën e trajnerit Vladimir Gjoni. Kritikat e kryetares së Bashkisë, Adelina Farrici, pak ditë para ndeshjes me Tërbunin nuk sollën gjë pozitive.
Ajo deklaroi para këtij takimi se nuk do të mungojnë masat ndaj personave përgjegjës nëse nuk realizohet kthesa e rezultateve pozitive. Sakaq pas ndeshjes trajneri i matjanëve, Vladimir Gjoni, tha se ai do të konsultohet me shefin e klubit dhe do të ketë një reflektim për rezultatet e dobëta.
I pyetur nëse do të ndëshkohen futbollistët, Gjoni theksoi: “Djemtë kanë luajtur mjaft mirë në dy ndeshjet e fundit, si me Veleçikun në Krujë, ashtu dhe me Tërbunin në Burrel. Aktivizimi i dy brazilianëve e ka përmirësuar ndjeshëm nivelin e lojës së skuadrës sonë.”
“Por fati nuk është në anën tonë, – ka vijuar trajneri i matjanëve. – Me Mamurrasin e Tërbunin na ndëshkuan zyrtarët e Federatës Shqiptare të Futbollit. Me Besëlidhjen e Veleçikun nuk patëm fat.” Ndërkohë, ekipi ka rinisur dje stërvitjen për ndeshjen në fushë të huaj me Kastriotin e Krujës.