AlbanianSport.com 30/08/2018 17:55
ASNN – Vazhdojnë dënimet për të gjithë anëtarët e FIFA-s, të cilët u arrestuan me akuzën për korrupsion. Pas ish-presidentit të Federatës Braziliane të Futbollit, Marinit, gjykata amerikane ka dënuar me 9 vite burg ish-kreun e CONMEBOL-it, Naputin. Kështu, psh-presidenti i Konfederatës së Futbollit të Amerikës së Jugut (CONMEBOL), Huan Angel Naput, u dënua me 9 vjet burg, pasi ishte përfshirë në skandalin e korrupsionit të FIFA-s.
Dënimi i 60-vjeçarit, Naput, vjen një javë pasi ish-drejtuesi i futbollit brazilian, Zhose Maria Marin, u burgos për 4 vjet në lidhje me të njëjtin rast. Naputi, i cili ishte edhe kreu i futbollit paraguaian, u gjet fajtor më 22 dhjetor 2017 në lidhje me tre akuza për dhënien e të drejtave televizive dhe të marketingut për ngjarje të mëdha futbollistike në shkëmbim të miliona dollarëve në formë ryshfeti.
Janë 42 zyrtarë, drejtues të marketingut dhe të kompanive sportive, të cilët u paditën për korrupsion në shuma që arrinin deri në më shumë se 200 milionë dollarë. Gjyqi i Naputit dhe Marinit, që nisi që në vitin 2017-ën, tregoi jo vetëm korrupsionin, por edhe jetën e privilegjuar, luksin e tepërt që gëzonin anëtarët e mëparshëm të Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s.
Prokurorët detajuan një mënyrë jetese me nivel shumë të lartë që përshinin, fluturimet e shumta, shoferët personalë, avionë privatë, hotele luksoze, takime në vendpushimet ekzotike në Bahamas ose Maurishius dhe udhëtime në Danub për familjet. Fillimisht Naputi u përpoq të shkatërronte provat duke u munduar të merrte kompjuterin e tij nga selia e CONMEBOL-it pas arrestimit të tij në Zvicër në dhjetor 2015, por nuk ia doli.
Nga 42 individë të akuzuar fillimisht, nga drejtuesit e FIFA-s, 3 prej tyre kanë vdekur dhe 22 kanë pranuar fajësinë. Marini dhe Naputi u dënuan, ndërsa ish-bosi i futbollit peruan Manuel Burga u lirua.