AlbanianSport.com 16/06/2020 22:25
ASNN – Ka mjaftuar ai, i përhershmi Robert Levandovski! Dhe, në një përkim interesant, ka mjaftuar goli numër 31, për të siguruar titullin numër 30! Përtej aludimeve për një bujari të miqve ndaj vendasve, që rrezikojnë shumëçka tanimë, Bajerni i Mynihut mposhti 1-0 në fushë të huaj Verder Bremenin dhe shpallet “kampion” i Gjermanisë për të 8-tin sezon radhazi.
Duket se bavarezët kishin shkuar në Bremen me objektivin e qartë për të fituar dhe ia kanë dalë. Goli i vetëm i këtij takimi u shënua në fundin e pjesës së parë, kur Robert Levandovski kontrolloi më së miri një top me kraharor dhe më pas e dërgoi topin në rrjetë. Goli i dytë mungoi, ndërkohë që për t’u përmendur është kartoni i kuq i marrë nga Alfonso Dejvis.
Ky rezultat e ndërlikon betejën e Verder Bremenit për mbijetesë, duke i lënë tanimë si shpresë të vetme vendin që të çon në “play-off”-in e mbijetesës, që mbahet nga Fortuna e Dyseldofit. Sa u përket ndeshjeve të tjera të së martës, Fraiburgu ka marrë një fitore me mjaft vlera që e fut në zonën e Kupave të Evropës sezonin e ardhshëm. Futbollisti i Kombëtares kuqezi Amir Abrashi nuk luajti asnjë minutë.
Por ai pa shokët e tij të triumfonin 2-1 kundër Hertha Berlin. Unioni i Berlinit ka siguruar ndërkohë qëndrimin në Bundesliga, pasi mposhti skuadrën e Paderborn me rezultatin 1-0. Një autogol i Zolinski vendosi fatet e kësaj ndeshjeje. Në fushë nga minuta e parë ishte edhe Klaus Gjasula, mesfushori i kombëtares shqiptare, i cili, këtë herë nuk u ndëshkua me karton të verdhë.
Më herët, në takimin që pati nisur në orën 18:30, nisur Borusia e Mënshengaldabahut ia doli të mposhtte 3-0 skuadrën e Volfsburgut dhe për momentin është ngjitur në vendin e katërt. 5 takimet e tjera të javës së 32-të, nga 34 gjithsej që ka sezoni, luhen të mërkurën.