AlbanianSport.com 27/04/2020 21:40
ASNN – Pak ditë më parë, sikundër të 210 federatat e tjera anëtare, Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF), ka përfituar ditë më parë 462 mijë euro nga një fond i shpërndarë nga FIFA. Por të hënën është mësuar se përkrahja e UEFA-s është dukshëm më e madhe, teksa organizmi që qeveris futbollin kontinental, ka akordur një fond prej 236.5 milionë Euro për të mbështetur federatat anëtare në këtë kohë të vështirë
Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s ka dhënë në fakt dritën jeshile në heqjen e kushteve për pagesat e bëra përmes programit të saj HatTrick””. Organizmi evropian ka akorduar 236.5 milionë Euro për të ndihmuar 55 federatat anëtare të saj, që po përballen me vështirësitë e shkaktuara nga pandemia “COVID-19”. Kujtojmë që Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, mban postin e nën-kryetarit të programit “HatTrick””.
Fondi i “HatTrick”-ut u shpërndahet federatave për të mbuluar kostot dhe për të ndihmuar në zhvillimin e futbollit vendas. Sidoqoftë, UEFA ka vendosur të lejojë çdo federatë të vendosë ajo prioritetet e saj, për shkak të ndikimit negativ të koronavirusit në futboll e në të gjitha nivelet. Duke njoftuar për fondet, Presidenti i UEFA-s, Aleksandër Çeferin, u shpreh se “futbolli po përballet me një ndryshim të paprecedentë”.
“Një ndryshim që ka ardhur nga kriza e shkaktuar nga epidemia e “COVID-19”, – ka vijuar ai. – UEFA dëshiron t’i ndihmojë anëtarët e saj që të përgjigjen në mënyra të cilat janë të përshtatshme në rrethanat e tyre specifike. Si rezultat, ne kemi rënë dakord që deri në 4.3 milionë Euro për secilën federatë, për pjesën e mbetur të këtij edicioni, si edhe për sezonin e ardhshëm.”
“Fonde të cilat mund të përdoren nga anëtarët tanë si ta shohin të përshtatshme në rimëkëmbjen e situatës aktuale të futbollit, – ka theksuar kreu i UEFA-s. – Unë besoj se ky është një vendim i përgjegjshëm për të ndihmuar me aq sa ne kemi mundësi. Unë jam krenar për bashkimin që futbolli po tregon përgjatë kësaj krize. Pa dyshim, futbolli do të jetë në zemër të jetës kur të rikthehemi në normalitet.”
“Kur koha të vijë, futbolli duhet të jetë gati, – ka thënë Çeferini. – Si rezultat kemi rënë dakord që, deri në 4,3 milionë Euro për federatë, të paguara për pjesën e mbetur të këtij sezoni dhe për sezonin e ardhshëm, si dhe pjesa e fondit të investimeve, mund të përdoren siç e shohin të përshtatshme anëtarët tanë për të rindërtuar komunitetin e futbollit.”