Gjergj Vyshka 09.04.2015 13:45
Në një impiant të boshatisur, për shkak të pezullimit të fushës së Kukësit nga Komisioni i Disiplinës i Federatës Shqiptare të Futbollit, Skënderbeu nuk arriti ta shmangte humbjen. Sulmuesi kroat, Pero Pejiç, rezultoi vendimtar edhe në takimin e parë gjysmëfinal të Kupës së Shqipërisë ndaj Skënderbeut, pasi shënoi golin e vetëm të takimit, që e bën skuadrën verilindore favorite për të prekur finalen.
Një tjetër betejë e fituar nga 32-vjeçari ndaj ish-skuadrës së tij, që duhet t’i paguajë gati 15 mijë euro për shkak të detyrimeve të prapambetura nga sezoni i kaluar. Në kampin kukësian, Shaqiri kishte luksin të aktivizonte formacionin më të mirë të mundshëm, ku në vijën u parë Pejic mbështetej nga treshja Pit-Zeqiri-Lushtaku. Që në minutën e 4-t, korçarët u shfaqën të rrezikshëm në zonën e Kukësit.
Martins ftoi në gjuajtje Sabien Lilajn, por topi i goditur u ndal nga shtylla. Në vijim të aksionit provoi edhe Abazi, por finalizimi i tij la për të dëshiruar. Kundërpërgjigja e Kukësit ishte e menjëhershme. Pero Pejiç, pasi stopoi saktësisht një top të ardhur nga thellësia, la pas bashkëkombësin e tij Radas dhe Jashanicën e me një lëvizje të bukur, teksa ishte i vetëm përballë Shehit, e dërgoi topin në rrjetë ngjitur me shtyllën e djathtë pingule të portës korçare.
Në të 28-n minutë, braziliani Pit provoi me një diagonale të fortë nga e majta e sulmit kuksian, por topi u ndal nga shtylla. Pjesa e parë u mbyll me një depërtim të bukur të Radas, në qendër të zonës së Kukësit, por goditja e tij përfundoi mbi tra. Pjesa e dytë nisi me një moment të vështirë në portën e Skënderbeut, por Lushtaku, pas një sllallomi që nga mesfusha, nuk e shënjestroi si duhet portën e korçarëve.
Pak çaste më vonë provoi edhe Dushku, por Shehi i mohoi golin qendërmbrojtësit. Me kalimin e minutave, Josa hodhi në fushë dy sulmuesit Stojkov dhe Sefa kuptohet për të rritur forcën goditës. Por formacioni i Artim Shaqirit u mbrojt mirë, duke mos lejuar prekjen e rrjetës, edhe pse në minutat shtesë u desh ndërhyrja vendimtare e Halilajt për të shmangur një gol të sigurt pas goditjes me kokë të Stojkov.
Skënderbeu ka shanse të mira për t’u kualifikuar në finale, por duhet të fitojë me dy gola diferencë në sfidën e kthimit.