AlbanianSport.com 08.12.2016 14:35
ASNN – Kashima Entllërs, kampionia e Japonisë, është skuadra e kualifikuar për në çerekfinalet e Botërorit të Klubeve n[ Futboll. Ajo ka mundur 2-1 në ndeshjen hapëse të kësaj veprimtarie, kampionen e Oqeanisë, Oklend Sitin. Ky Botëror, i organizuar nga FIFA, po zhvillohet në Japoni.
Botërori i Klubeve, i organizuar nga Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA), është evenimenti i radhës që transmeton Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Nëpërmjet kanalit RTSH Sport, teleshikuesit kanë patur mundësi të ndjekin të enjten ndeshjen hapëse të kësaj veprimtarie, atë midis Kashima Entllërs, kampione e Japonisë dhe Oklend Sitit, kampione e Oqeanisë.
Botërori i Klubeve po zhvillohet në Japoni dhe, pikërisht në stadiumin “Internacional” të Jokohamas ka nisur ndeshja e parë. 45 minutat e para mbyllen me rezultatin 0-0. Me fillimin e pjesës së dytë, të parët kalojnë në ep[rsi kampionët e Oqeanisë. Është Kim që në minutën e 50-të, shënon duke mposhtur kundërshtarin.
Por vendasit këmbëngulin dhe, në minutën e 67-të, shënojnë golin e barazimit. Është Akazaki që realizon për Kashiman. Ndërsa dukej se ndeshja po shkonte drejt barazimit, e do të duhej koha shtesë për të përcaktuar skuadrën e kualifikuar për më tej, dy minuta para përfundimit të kohës së rregullt të takimit, Mu Kanazaku shënon golin e dytë për Kashiman.
Entuziazmi është i pranishëm në shkallët e stadiumit, teksa tifozët shohin skuadrën e tyre të kualifikuar tashmë. Kashima në çerekfinale do të ndeshet në 11 dhjetor 2016 me Mamelodi, kampionen e Afrikës së Jugut.