AlbanianSport.com 20/08/2021 17:30
ASNN – Janë mësuar edhe të rejat më të fundit mbi ndërrimin e stadiumit dhe shitjet e biletat për sfidat ndaj Hungarisë e San Marinos. Shtatori rikthen Kombëtaren, me përfaqësuesen kuqezi që është e impenjuar në 3 ndeshje zyrtare, të vlefshme për Eliminatoret e Botërorit “Katar 2022”.
Bëhet fjalë për atë ndaj Polonisë në fushë të huaj, më 2 shtator 2021, dhe ato ndaj Hungarisë dhe San Marinos, më 5 dhe 8 shtator 2021, që do të luhen në shtëpi. Zyra e shtypit në Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) ka bërë të ditur se dy ndeshjet në fushën tonë do të zhvillohen në Stadiumin “Elbasan Arena”.
Ky përbën një ndryshim nga ndeshja me Anglinë e muajit mars, që u luajt në Stadiumin “Arena Kombëtare”. Shkak i këtij spostimi të paparashikuar është investimi për rinovimin e fushës, që parashikon një tapet të ri hibrid, të cilësisë dhe standardeve më të larta ndërkombëtare.
Ky tapet pritet të jetë gati vetëm në mesin e muajin e shtator. Sakaq Zyra e Shtypit në FSHF njofton se biletat për dy ndeshjet ndaj Hungarisë dhe San Marinos do të dalin në shitje ditën e shtunë, datë 21 gusht 2021. Për detaje në lidhje me biletat publiku do të njoftohet përmes kanaleve zyrtare të FSHF-së në rrjetet sociale.