AlbanianSport.com 06/07/2018 12:55
ASNN – Shqetësimi më i madh i skuadrës Uruguait është mungesa e Kavanit dhe mbrojtja përballë një ekipi të fortë, më tepër sesa rreziku që paraqet i riu Kilian Mbape. Kështu ka deklaruar sulmuesi e amerikanolatinëve, Luis Suarez, i cili i ka të vakëta shpresat për aktivizimin e kolegut të sulmit uruguaian përballë francezëve, në çerekfinalen e parë të Botërorit, që luhet të premten pasdite.
Uruaguai përballet me Francën në duelin e parë të çerekfinaleve dhe për sulmuesin e amerikanolatinëve, Luis Suarez, shqetësimi më i madh i skuadrës së tij është mungesa e Kavanit dhe mbrojtja përballë një ekipi të fortë, më tepër sesa rreziku që paraqet i riu Kilian Mbape. “Të gjithë e dinë se ai është me të vërtetë një lojtar i mirë, siç ishte vite më parë Tierri Honri”, – thotë ai.
“Mbape është një lojtar i rëndësishëm për francezët, por mendoj se e ne kemi mbrojtjen e mirë, të mjaftueshme për ta kontrolluar atë, – ka vijuar Suarez. – Por ai është vetëm një lojtar, ndërsa ne duhet të mendojmë për të gjithë skuadrën.” Shqetësuese mbetet padyshim mungesa e Edision Kavanit, pasi sulmuesi u dëmtua ndaj Portugalisë dhe mungoi në stërvitjen e së martës.
Por duket se edhe Suarez i ka të vakëta shpresat për aktivizimin e kolegut të sulmit uruguaian përballë francezëve. “Të gjithë e kanë parë sesa jep ai për skuadrën dhe çfarë nënkupton kjo në aspektin e lodhjes fizike, – thotë sulmuesi për kolegun e tij të sulmit. – Skuadra e çmon faktin sesa shumë na ndihmon ai neve. Unë jam një nga 3 milionë uruguaianët që presin të mësojnë nëse Kavani do të luajë.”
“Por unë e di që është e ndërlikuar dhe nuk është e lehtë kur je i dëmtuar, për më tepër që ai nuk ka kohën e nevojshme për ta marrë veten, prandaj është e vështirë, – ka vijuar Suarez. – Por unë e di dëshirën e tij, mendësinë, përkushtimin dhe e di që Edisoni do të bëjë gjithçka që të jetë aty. Por kjo duket se nuk varet më prej tij.” Takimi Uruguaj-Francë luhet të premten pasdite, duke nisur nga ora 16:00.