AlbanianSport.com 01/06/2018 19:25
ASNN – Gardiani i portës madrilene: “Më vjen keq për largimin e francezit. I jam mirënjohës atij sepse më ka përkrahur dhe këshilluar gjithnjë.” Portieri i Kosta Rikës, Kejlor Navas nuk e ka pritur mirë dorëheqjen e befasishme të Zinedin Zidanit si trajner i Realit të Madridit. “Të gjithë në ekip e duan atë. Eshtë për të ardhur keq që u largua”, -tha Navas në një konferencë për shtyp në qendrën e stërvitjes së përfaqësueses së futbollit të Kosta Rikës.
Nën drejtimin e Zidanit, Navas ka jetuar momentet më të bukura me Real Madridin, duke u bërë titullar i padiskutueshëm dhe tri herë fitues i Ligës së Kampionëve. “Unë kam vetëm fjalë mirënjohje për të, – ka thënë ai. – Ai ishte me mua në kohë të mira dhe në të këqija. Gjithnjë më ka dhënë këshilla të mira. Sidoqoftë, vjen një moment që çdo kapitull përfundon”. Navas u pyet edhe për marrëdhëniet e tij me brazilianin Marcelo, bashkëlojtarin e Real Madridit.
Me të ai do të përballet në Grupin E të Botërorit “Rusisë 2018”. “Marselo, përveç të qenit një lojtar i madh, ai është një person shumë i gëzuar dhe karizmatik, – ka thënë kostarikani. – Që kur kam ardhur në Real Madrid më ka përkrahur duke u bërë një mbështetje e madhe për mua. Unë i jam shumë mirënjohës. Në futboll jemi të gjithë profesionistë, secili do të mbrojë bluzën e vendit të vet, pa lënduar askënd.”
“Ai dëshiron të fitojë Brazili, unë dua të fitoj Kosta Rika ime. Dhe pas ndeshjes ne do të mbetemi miq”, – përfundoi portieri i përfaqësueses së Kosta Rikës dhe Realit të Madridit, Kejlor Navas.