AlbanianSport.com 01/06/2018 08:00
ASNN – Njëzet vjet më parë Enrike Domingez po stërviste 10-vjeçarët e “Njuell Olld Bojs” në Argjentinë kur e pa Lionel Mesin për herë të parë. Ai e kujton akoma duke thënë: “Ai ishte një dhuratë e jetës!” E vetmja gjë që i mungon Mesit për të arritur Diego Maradonën, legjendarin në kujtesën e të gjithë argjentinasve është që ai të fitojë më në fund Botërorin. Dhe Rusia është shansi i fundit për Argjentinën me Mesin si yllin kryesor të ekipit.
Në lagjen Las Heras, të punëtorëve, ndodhet shtëpia e Mesit tani e zbrazur, e fasada e saj e lënë pas dore. Familja e tij u largua nga aty për në Barcelonë kur Leo ishte 13 vjeç. Pas shumë peripecive që tashmë dihen nga të gjithë, Lionel Mesi, 5 herë fitues i “Topit të Artë” dëshiron të fitojë Botërorin me Argjentinën e tij. Si kapiten i saj, ai u ka bërë thirrje bashkatdhetarëve të tij të jenë realistë në pritshmëritë e këtij Botërori, duke paralajmëruar se ekipet e tjera që shkojnë në Rusi janë më të mirë.
Në një intervistë për “Canal 13” të Argjentinës, Mesi shprehet: “Të gjithë duhet ta dinë se ne nuk do të shkojmë në Rusi si pretendentë, por theksoj se kemi një grup lojtarësh shumë të mirë dhe do të luftojmë deri në fund”. I pyetur nëse Argjentina mund të fitojë trofeun e Botërorit, Mesi u përgjigj: “Unë kam besim te ky ekip. Kemi lojtarë me talent dhe përvojë.”
“Nuk mund të them se ne jemi më të mirët, sepse kjo nuk është e vërtetë. Ka disa skuadra më të mira se ne”, – theksoi ai, duke veçuar Brazilin, Spanjën dhe Gjermaninë. Në Rusi, Argjentina do të përballet në fazën e grupeve me Islandën, Nigerinë dhe Kroacinë në atë që Mesi e quajti “një grup të ndërlikuar”. “Ne duhet të mendojmë se si të dalim të parët e grupit fillimisht, – këmbënguli lojtari i Barcelonës, – por kjo nuk do të jetë e lehtë.”