AlbanianSport.com 11/06/2018 08:00
ASNN – Pol Pogba bëri një paraqitje të mirë, por Franca dukej e lodhur në atë barazim 1-1 të arritur të shtunën në Lion përballë Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Xhulian Griin i kaloi amerikanë në epërsi paka para fundit të pjesës së parë, por Kilian Mbape barazoi më pas shifrat për vendasit. Vetë trajneri Didië Deshomp e pranoi se skuadra e tij vuajti në aspektin fizik.
“Ne na mungonte dukshëm energjia, por është e kuptueshme, pasi punuam fort dhe patëm shumë mundësi për të shënuare më tepër, por nuk ia dolëm, – ka thënë trajneri francez. – Kishim përballë një skuadër të re amerikane dhe një sistem që lë më pak hapësira, prandaj kërkon më tepër saktësi dhe lëvizshmëri.” Mbase duke menduar për ndeshjen me Australinë, Franca la për të dëshiruar për ritmin e lojës së saj, por kjo nuk e shqetëson trajnerin e përfaqësueses.
“Do të më pëlqente të fitoja 5-0, por, po të kishte ndodhur kështu, do të shkonim në Botëror duke thënë: “Hajt se Australia na pret”, – ka thënë Deshompi. – Të paktën tanimë ne e dimë që do të shkojmë atje të paralajmëruar, të ndërgjegjshëm se do të përballemi me vështirësi, çka është normale në një Botëror. Unë jam i lumtur me punën që kemi bërë dhe ndonëse kjo nuk ishte më e mira e 3 ndeshjeve miqësore që ne kemi bërë në prag të Botërorit, s’kam asnjë keqardhje për vështirësitë që hasëm në këtë takim.”
Pogba ishte fishkëllyer para një jave në fitoren 3-1 ndaj Italisë, por ishte pasimi i tij që çoi në golin e Mbapesë. Dhe Dëshompi ka nxituar të dalë në mbrojtje të futbollistit të tij teksa thotë: “Ai mund të bëjë gjithçka, por nuk mund t’i bëjë të gjitha në të njëjtën kohë. Ai nuk mund ta marrë topin nga prapa, të driblojë, të pasojë e të shënojë njëkohësisht. Ai ka mënyrën e vet të të bërit të gjërave dhe kjo nuk e ndal fantazinë e tij, kur ajo shndërrohet në efikasitet, kur ajo shndërrohet në një mundësi për gol.”
“Ai e ka një aftësi të tillë”, – shtoi Dëshompi. Franca e nis Botërorin “Rusi 2018” me përballjen e 16 qershorit me Australinë, e cila fitoi 2-1 ndaj Hungarisë më herët të shtunën.