AlbanianSport.com 01/06/2018 23:05
ASNN – Trajneri i Francës, Didië Deshomp, e shikon Zinedin Zidanin, ish-shokun e tij në përfaqësuesen e Francës, si drejtuesin e ardhshëm të “bluve”. Kështu është shprehur ai menjëherë pasi ka dëgjuar për vendimin e Zizusë për t’u larguar nga Reali i Madridit. Deshompi e ndjen se presioni mbi të është shtuar më shumë pas kësaj, ndërsa ai po përgatit skuadrën për fazën finale të Botërorit “Rusi 2018”.
Zidan, i cili drejtori Realin në fitimin e trofeve të njëpasnjëshëm gjatë këtyre viteve që e drejtoi, u largua nga madrilenët me pretendimin se ishte i pasigurt për aftësitë e tij për të frymëzuar gjigantët spanjollë për më shumë fitore. Megjithëse Deshompi është nën kontratë me federatën franceze të futbollit (FFF) deri në vitin 2020, ai e shikon Zidanin si trajnerin e ardhshëm të Francës.
“Për momentin, Zizu dëshiron të shijojë pushimet dhe të kalojë më shumë kohë me familjen e tij, – tha ai. – Por një ditë ai do të jetë trajner i ekipit përfaqësueses. Nuk mund ta them se kur, por për mua kjo është logjike.” Deshompi ka shtuar më tej se vendimi i Zidanit nuk ka ndikuar aspak në punën që po bën me përfaqësuesen drejt fazës finale të Botërorit.
“Nuk po mendoj asgjë tjetër, – tha ai. – Jam tërësisht i përqendruar në punën që po bëj me lojtarët e mi.” Franca është një nga favoritet për Botërorin e Rusisë, së bashku me Brazilin dhe Gjermaninë.