AlbanianSport.com 08.01.2016 12:25
ASNN – Plot 50 milionë euro është shifra që Borusia e Mënshengladbahut ka vënë për kartonin e Granit Xhakës. Përkundër interesimit të disa prej klubeve më të mëdhenj të Evropës, si Bajern, Juventusi apo Liverpuli, duket se klubi gjerman synon të përfitojë sa më tepër të mundet.
Mesfushori shqiptar i Zvicrës, kapiteni 23-vjeçar, po shkëlqen si asnjëherë tjetër këtë sezon, duke e shumëfishuar vlerës për të cilën u mor nga Mënshengladbahu, që e bëri të vetin katër vjet më parë për 8.5 milionë euro. Ai është sot një nga lojtarët më të shtrenjtë të kampionatit gjerman, sipas gazetës “Bild”.
Në krye të vlerësimeve është Tomas Myleri, për të cilin Bajerni i Mynihut kërkon 200 milionë euro, vijnë më pas Aubameyang i Borusias së Dortmundit dhe Julian Draksler i Volfsburgut, ndërsa Granit Xhaka është i pesti në listën e më të shtrenjtëve. I kritikuar për stilin e tij të lojës, kosovari është mbrojtur duke thënë se ai vërtet luan fort, por nuk është i çmendur.