Gjergj Vyshka 09.09.2016 18:55
Boksi shqiptar ka humbur dje pasdite një nga legjendat e tij, Mjeshtrin e Merituar të Sportit, Hysen Sharra, që është ndarë në moshën 80-vjeçare. Hysen Sharra ka lindur më 15 nëntor 1935, ndërsa pat kryer Teknikumin e Fiskulturës në Tiranë. Më 1969 është diplomuar mësues i Edukimit Fizik pasi mbaroi studimet në Institutin e Kulturës Fizike “Vojo Kushi”, sot Universiteti i Sporteve. Të dhënat fizike dhe talenti i Hysenit shkëlqyen jo vetëm në sportin e notit, ku ai rrëshqiste dhe notonte bukur që kur ishte i vogël, por më shumë në atë të boksit.
Në garat dhe kampionatet e ndryshme, Hyseni ka përfaqësuar klubin e atëhershëm sportiv “Puna” dhe më vonë atë Partizani”. Gjatë karrierës së tij në boks është shpallur 9 herë kampion i Shqipërisë dhe ka fituar 10 herë Kupën e Republikës. Është fitues edhe në Spartakiadën e Parë Kombëtare (1959). Hyseni konkurroi me sukses edhe në arenën ndërkombëtare. Me ekipin përfaqësues të boksit, ai ka zhvilluar me dinjitet 5 ndeshje të peshës së rëndë, ndër të cilat më e bukura ishte ajo ndaj hungarezit Janosh Granosh.
Në Lojërat Ndërkombëtare të Ushtrive të bllokut të lindjes, të zhvilluara në Lajpcig të Gjermanisë më 1958, me KS “Partizani” dhe në Lojërat e GANEFO-s, të zhvilluara në kryeqytetin e Indonezisë, Xhakarta, më 1963-shin, me ekipin përfaqësues, ai mori dy medalje bronzi. Në sportet e ujit (not dhe vaterpol), të cilave nuk iu nda asnjëherë, Sharra është shpallur dy herë “kampion kombëtar” në garën e stilit shpinë (1951 dhe 1952), si dhe është shpallur 7 herë “kampion kombëtar” në vaterpolo (prej 1953 deri më 1969).
Ka fituar në anketën “10 Sportistët Më Të Mirë Të Vitit 1957” të gazetës “Sporti Popullor”. Për meritat dhe vlerat e tij ka titullin “Nderi i Sportit Shqiptar” dhe është dekoruar me “Medaljen e Punës” dhe Urdhërin “Naim Frashëri” të klasit III. Përcjellja për në banesën e fundit do të bëhet sot në ora 12:00, ndërsa Redaksia e Gazetës “Sport Ekspres” ngushëllon të gjithë komunitetin e boksit shqiptar, si dhe familjen Sharra, për ndarjen nga jeta të një figure kaq të madhe të sportit të dorezave si Hyseni. Këtyre ngushëllimeve u bashkohet edhe AlbanianSport.com.