Gjergj Vyshka 18.09.2015 11:40
Presidenti i FSHBo-së, Florend Kalivopuli, ka kërkuar ndihmën e të gjithëve për ngritjen e boksit dhe në ato rrethe që janë harruar si Elbasani, Korça, Pogradeci, Gjirokastra. Madje ka pasur dhe një ide të ndarjes në grupime të skuadrave. Të parët të jenë ato që renditen nga 1-7, më pas ekipet që një herë marrin dhe një herë nuk marrin pjesë në kampionat, si dhe skuadrat e fjetura.
“Sepse ne vërtetë patëm 22 delegatë nga 22 klube, por Vllaznia, apo Tirana, nuk mund të jetë njësoi me Tirana 2006, e cila ishte e sapokrijuar për zgjedhje”, – ka thënë Kalivopuli. Madje kur është ngacmuar për faktin se presidentët e deritanishëm të boksit janë vendosur e janë hequr sipas dëshirës së Zef Gjonit, Kalivopuli e ka pasur një përgjigje.
“Zef Gjoni është ndër ata që jeton dhe punon për të mirën e boksit. Dhe nuk mund t’i heqësh meritat, sepse është ndër ata që edhe shpirtin jep për boksin. Unë e kam shumë mik, nëse do të më japin një argument të fortë se pse duhet të ikë, unë do ta mendoj”, ka përfunduar Kalivopuli, i cili nuk ka pranuar idenë e Ahmet Golemit për boksin si orë mësimi, apo bërjen gjysmë boks amator e gjysmë boks profesionist.