Marrë nga “Gazeta e Sportit” 17.01.2015 18:30
Sporti i boksit është një nga më të ndjekurit në qytetin e Shkodrës. Në çdo aktivitet që zhvillohet, Pallati i Sportit “Qazim Dervishi” është i mbushur me tifozë nga të gjitha moshat. Viti 2014-të ka qenë një vit i suksesshëm për këtë sport, atje ku mund të veçojmë aktivitetet më të rëndësishme të këtij viti. Kështu në muajin prill, në Shkodër, u zhvillua aktiviteti ndërkombëtar, ku morën pjesë 8 ekipe kombëtare. Ky ishte një sukses për numrin e sportistëve dhe cilësinë e boksierëve pjesëmarrës. Në këtë aktivitet, kupën ekipore e meritoi ekipi kombëtar i Shqipërisë me 3 medalje ari.
Më pas, në muajin shtator, u zhvillua kampionati kombëtar për moshat Nën-19-vjeç. Ky kampionat u zhvillua në Vlorë dhe ekipi i Vllaznisë u paraqit denjësisht, por një pakujdesi e vogël bëri që ekipi shkodran të mos arrijë vendin e parë duke u mjaftuar me vendin e dytë, me vetëm një pikë diferencë nga ekipi fitues i Flamurtarit. Po në këtë muaj u zhvillua kampionati kombëtar për të rritur në qytetin e Tiranës, ku Vllaznia ishte e përgatitur të fitonte kampionatin e 20-të në 22 vitet e fundit, por pas shumë kontestimeve dhe padrejtësive, shkodranët zënë vendin e dytë në Shqipëri.
Pas këtij aktiviteti reaguan boksierët shkodran, si dhe trajneri i Vllaznisë Zef Gjoni, të cilët e konsideruan të padrejtë vendimin e gjyqtarëve, duke favorizuar dukshëm ekipin kryeqytetas. Muaji tetor ishte më i veçantë për sportistët e Vllaznisë, sidomos për boksierët Kristian Demaj dhe Kristian Shytani, të cilët shpallen fitues në aktivitetin ndërkombëtar “Gongu i Artë”, që u zhvillua në Maqedoni. Madje Kristian Demaj u shpall edhe sportisti më i mirë i aktivitetit.
Në muajin nëntor, në Kosovë u zhvillua aktiviteti ndërkombëtar “Adem Jashari”, ku boksieri shkodran Kristian Demaj zë vendin e dytë, ndërsa boksieri tjetër Kristian Shytani shpallet kampion. Viti 2014-të mbyllet me Kupën e Shqipërisë, e cila u zhvillua në Shkodër, ndërsa Vllaznia është fituese e saj me një dominim total mbi të tjerët.
Ndërkohë 2015-ta vjen me një lajm të mirë për boksin shkodran dhe atë shqiptar, ku pas Nelson Hysës, i cili arriti të firmosë një kontratë në WSB (një ligë gjysmë-profesioniste) për ekipin e Meksikës, edhe Kristian Demaj ka arritur të firmosë një kontratë të tillë. Për boksierin shkodran Demaj është viti i tretë që është pjesë e ekipit latin. Pra, viti 2015-të pritet të jetë po aq i suksesshëm sa viti që kemi lënë pas.