Gjergj Vyshka 19.11.2014 19:35
Veteranët e boksit shqiptar Ahmet Golemi, Et’hem Ibrahimi, Dhimitër Çakalli, Ramiz Reka, Rami Sadushi, Kapllan Uka, Halil Petrela, Zekman Bode dhe Faslli Peçi, kanë uruar Federatën e Boksit të Kosovës për anëtarësimin e tyre në Federatën Botërore.
Ja dhe teksti i letrës për Federatën e Boksit të Kosovës:
“Të nderuar kolegë të sportit të boksit, bashkëudhëtarë të traditës me gjurmë të pathyeshme ndër vite, u ndjemë të lumturuar nga vendimi i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, i cili u mor në Xhexhu të Koresë së Jugut, më 14 nëntor 2014, për pranimin e Komitetit Olimpik të Kosovës dhe njëkohësisht të Federatës së Boksit të Kosovës në këto organizata ndërkombëtare. Ky lajm i mësuar nëpërmjet medias zgjoi tek ne jehonën e traditës, ku kanë lënë gjurmë të arta emrat e të mëdhenjve në rangun evropian e botëror si Lah Nimani, Azis Saliu, Mehmet Bogujevci, Sami Buzolli, Bajram Hashani etj, krenaria e shkuar si burim frymëzimi për brezat e ardhshëm. Ky sihariq do t’u japë mundësinë talenteve të ringut tuaj për të përfaqësuar denjësisht Republikën e Kosovës në veprimtaritë e ardhshme duke shpresuar që stafi drejtuesi i Federatës së Boksit të Kosovës, nën drejtimin e presidentit dhe sekretarit aktual të tij, Ramadan Selimi dhe Mehmet Bogujevci, do të bëjë përpjekjet maksimale të mundshme për t’i konkretizuar pritshmëritë e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar dhe të boksdashësve shqiptarë kudo që ata ndodhen në botë,”
Ky ka qenë urimi i veteranëve të boksit shqiptarë për Kosovën, ndërsa lidhjet e atyre janë të kahershme dhe shumë të forta.