Gjergj Vyshka 06.10.2016 07:55
Fundjavën e kaluar në Shkodër është zhvilluar Kampionati Kombëtar i Boksit për Të Rinj, ose më saktë i grupmoshës 17-18 vjeç, Në morinë e kampionëve individualë ka spikatur emri i Sokrat Kalivopullit, një emër që jo shumë është dëgjuar në sportin e boksit.
Madje, si për çudi, ai është ndër ata sportistë të rrallë që në shkollë është nxënës i shkëlqyer dhe i notës “10” dhe në sport është “kampion”. Në përgjithësi për natyrën që ka sporti i boksit, i cili hyn në kategorinë e sporteve të rënda së bashku me mundjen e peshëngritjen, apo dhe disiplina të tjera të arteve marciale, është për djem të një tjetër natyre.
Është e rëndomtë të thuhet djem rrugësh, por që në përgjithësi është e vërtetë, sidomos në vendin tonë, ndërsa për asnjërin prej tyre, ndoshta tek-tuk, shkolla është prioritet. Mirëpo me Sokrat Kalivopullin ka ndodhur krejtësisht ndryshe dhe ringu po fiton një sportist “me mend”.